Dede: Keqardhje për djemtë, komplimente Vllaznisë. Më ngroh reagimi

schedule19:19 - 21 Nëntor, 2020

schedule 19:19 - 21 Nëntor, 2020

Nevil Dede debutoi me humbje në stolin e Tiranës, që u mposht 3-2 në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë kryesuese. Në prononcimin e dhënë për Supersport, trajneri i bardhebluve prek disa tema, duke theksuar se i vjen keq për lojtarët për humbjen e pësuar në minutën e shtatë shtesë.

E rëndësishme është që ekipi reagoi dhe tregoi karakter. I morëm të tre golat të tillë, më erdhi keq se si e zhvilluam ndeshjen dhe si pësuam golat. Komplimente Vllaznisë për fitoren, por më vjen keq për çunat, të cilët reaguan pas çdo gabimi dhe goli të pësuar.

Golat e pësuar? Në futboll ndodhin edhe situata të tilla, ndodhin edhe keqkuptime. Rëndësi ka që skuadra luajti mirë pas minutës së 25-të. Një nga armët më të forta të Vllaznisë është kur ne humbitnim topin, duhet të paraqiteshim më mirë.

Më ngroh reagimi i skuadrës, ka kualitet kjo Tiranë dhe do të mendojmë për ndeshjen e radhës. Koha ka qenë e shkurtër , disa lojtarë i kemi pasur edhe në ekipet kombëtare. Vetëm në dy seanca kemi qenë të gjithë bashkë.

Në ndeshje presioni i humbjeve të fundit dhe dëshira e madhe, ndikuan që të gabonim. Nuk e nisëm mirë ndeshjen, por reagimi ishte i mirë. Gabimet individuale? E rëndësishme është t’i japësh kurajo skuadrës dhe t’i përmirësosh për të ardhmen.

Ka përshtatje, Najdovskin e shihja si qendërmbrojtës edhe kur nuk isha trajner  i Tiranës. Sot nuk luajti mirë në disa momente, por do i vë një notë kaluese. Hoxhallari? E kam përdoru si qendërmbrojtës ne skemën me 3 pas. Sot nuk doja ta rrezikoja. Vangjeli ka një shpirt të admirueshëm, por mosha bën të sajën.

Do diskutojmë më klubin për të përmirësuar sa më shumë skuadrën. Kemi numër të limitueshëm në prapavijë, por detyra ime është t’i përmirësoj lojtarët, t’i bëj të ndihen mirë dhe të marr maksimumin nga ata.

Shpresojmë të rikuperojmë sa më shpejt Torassën dhe Hoxhallarin. Shumë shpejt kthehen edhe Toshevski dh Çelhaka, maksimumi brenda 2-3 javësh. Unë isha komod, por ky është profesioni im. E pranova Tiranën për një vizion më të largët, kam firmosur një kontratë 2-vjeçare. Cobbinah nuk ndihej mirë në Shqipëri, klubi nuk mund ta humbiste me parametra zero.

Egbo meriton komplimente, por ka disa ndryshime krahasuar me ekipin që u shpall kampion. Kemi tre lojtarë me moshë të madhe. Duhet të rikuperojmë mendësinë e Tiranës, në të ardhmen do zhvillojmë klubin dhe lojtarët. Besoj se rezultatet do të vijnë.

Klima ishte shumë pozitive kur erdha te Tirana. Gjeta miqtë e mi, si Osmani, Muka dhe presidenti Halili. Kam luajtur me Vangjelin në kombëtare, lojtarët e rinj i njoh, këto gjëra më bënë optimistë. Më vjen keq për djemtë sot.

Tirana më priti mirë, u ndjeva si në shtëpinë time. Jam kthyer në një ambient ku më njohin të gjithë dhe i njoh të gjithë. Shpresojmë që në të ardhmen t’i përkthejmë në rezultate punën tonë, sidomos për të kënaqur tifozët. Na munguan sot. Isaac? Është i vetëdijshëm. Në fillim u bëmë merak, por nuk bëhet fjalë për ndonjë gjë serioze“, përfundon  Nevil Dede. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!