Dede: Kemi skuadër të fortë, do ua durojmë edhe fintet!

schedule21:50 - 14 Tetor, 2019

schedule 21:50 - 14 Tetor, 2019

Shqipëria U19 mposhti sot Poloninë me shifrat 3-1. Trajneri Nevil Dede e pranoi pas ndeshjes që nuk e priste këtë rezultat. Atë e kënaq më së shumti loja dhe thekson se ka marrë një mesazh të qartë nga skuadra e tij. Dede, pas ndeshjes, analizoi gjithçka ndodhi në fushë për ABC News, ndërkohë që foli edhe për mundësitë e kualifikimit.

“Nuk është e rëndësishme fitorja, e rëndësishme është përballja me kundërshtarin. Polonia është në skuadër e nivelit të vazos së dytë dhe kjo na jep besim. Sinjali ky ishte. Nuk prisja të fitonim me këtë rezultat, të jem i sinqertë. Prisja një lojë më të ekuilibruar. Pashë që ne kemi skuadër të fortë. Jam i lumtur për punën e bërë me këta djem në këto 8-9 muaj.

Procesi i ndërtimit të skuadrës dhe harmonizimit  është në rrugën e duhur. Në futboll duhet edhe pak fat në ndeshjet zyrtare, por e rëndësishme është që përballemi denjësisht me kombëtaren. Normalisht që ka momente në ndeshje edhe që vuajmë, na ndodhi për 15-20 minuta. Janë moshë e re dhe kjo sjell luhatje. Nëse arrijmë ta eliminojmë edhe këtë problem, atëherë gjithçka bëhet edhe më e lehtë për këtë skuadër”, tha pas ndeshjes Dede.

Shqipëria U19 para ndeshjes me Poloninë U19

FINTET – Gjatë ndeshjet kishte edhe momente kur lojtarë të ndryshëm u treguan individualistë. Dede ia lë moshës diçka të tillë, teksa deklaron: “Është mosha, duan të shprehin edhe ndonjë finte më shumë. Kjo nuk ndodh në mosha më të mëdha. Duhet pedagogji, metodologji, por edhe t’i durosh pak. E rëndësishme është që ne t’i rrisim.

Procesi i rritjes është i vështirë, plus varemi shumë edhe nga klubet. Të jem i sinqertë, e bëjnë 80-90 për qind të asaj që bëhet gjatë stërvitjes. Shpresojmë të bëjmë edhe më mirë. Futbolli është edhe pak pragmatist, siç e patë edhe në këtë ndeshje. U munduam të bëjmë disa zëvendësime për të parë disa lojtarë”.

OBJEKTIVI – Në nëntor Shqipëria U19 nis ndeshjet kualifikuese dhe në grup ka skuadra si Greqia, Belgjika dhe Islanda. Dede mendon se kuqezinjtë i kanë mundësitë për të tentuar edhe një kualifikim në Elite Rounde. “Qëllimi kryesor është të çojmë lojtar te Shqipëria U21 dhe te kombëtarja A. Deri tani janë tre lojtarë atje, Broja, Bullari dhe Ndrecka.

Shpresojmë të çojmë edhe disa të tjerë, që ju i keni evidentuar në media. Nëse bëjmë edhe rezultate, atëherë do ishte idealja. Besoj se ky grup i datëlindjes 2000 dhe 2001 mund të edhe të kualifikohet. Gjithsesi do mundohemi ta tentojmë. Unë besoj, të jem i sinqertë, edhe skuadra beson”, përfundoi Dede. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!