Njëlloj si ditët e fundit edhe këtë të martë deputetët e Partisë Demokratike kanë marrë pjesë në komisionet parlamentare për të folur vetëm për çështjen Xhafaj. Shohim se c’ka ndodhur në komisionin e ligjeve.
Skenarin politik të komisioneve parlamentare për ditën e mërkurë opozita e kishte paralajmëruar më parë.
Alibeaj: “Cili është personi i zhdukur sot e prej disa ditësh, personi që nuk bëzan sot për cështjen më të rëndë që i ka rënë atij, qeverisë e shtetit, ministrit të Brendshëm. Ky komision i cili duhet të përkujdeset për jetën, shendëtin, ardhmërinë e çdo shqiptari, ne do të diskutojmë si na ndodh që kemi një ministër të Brendshëm të zhdukur që nuk merr përgjegjësitë e veta dhe kemi vëllain e tij Agron a Geron Xhafaj që me vendim të formës së prerë që shëtit i lirë”.
Të mbledhur në komisionin e ligjeve rreth seancës dëgjimore me institucionet shtetërore mbi zbatimin e konventës për mbrojtjen e personave të zhdukur me forcë në kohën e regjimit komunist, zv.kryetarja e komisionit Vasilika Hysi provoi të sillte diskutimin në çështjen e paracaktuar të ditës.
Hysi: “Është hera e parë që shqyrtojmë një raport zyrtar për një çështje që besoj se PD duhet ta kishte kauzë, ne kemi 5 mijë persona që nuk dihen ku prehen. Më vjen mirë qe keni ardhur, po kjo nuk do të thotë që të dalim nga rendi i ditës. Këtu sot ka një seancë e angazhim, për çështjen e Alibeajt mund të kemi ditë të tjera. Tema dhe dita që keni zgjedhur është e gabuar”.
Kjo nuk devijoi retorikën e demokratëve.
Bylykbashi: “A e kuptoni që duke u bërë palë me zotin Xhafa keni bërë bërë një gjë më të rëndë se kaq, për të shpëtuar Agron Xhafajn keni zhbërë tre konventa që ka Shqipëria. Kriminelët e dënuar sot gjejnë strehë te ky parlament. Çdo gjë që bëni ju sot përveçse turp e krim”
Ndërprerja e fjalës së deputetit Bylykbashi nga e ftuara në komision për të raportuar, zv.ministjra e Brendshme Rovena Voda, e cila u thirri demokratëve të kenë turp për retorikën pasi nuk janë në mbledhje të grupit të tyre parlamentar, ndezi gjakrat.
Në pamundësi për të kontrolluar situatën, Vasilika Hysi hodhi në votim mbylljen dhe shtyrjen e seancës për një datë tjetër. /abcnews.al