Selia blu i ka cilësuar gënjeshtra deklaratat e bëra dje nga ish-kryeministri Sali Berisha se në oborrin e PD-së do të ngrihen kulla dhe hotele. Pas PD ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i partisë Gazment Bardhi i cili në rrjete sociale shkruan se sipas tij asnjë mashtrim i ish-kryeministrit nuk mund të mbulojë dhunën e janarit 8 janar dhe shpalljen non-grata nga SHBA. Teksa e quan Berishën një njeri që ka humbur arsyen, Bardhi thotë se në 18-dhjetor demokratët u ndanë nga e shkuara dhe zgjodhën të ardhmen.
“Qesha pa fund me mashtrimin e sotëm të Sali Berisha. Na akuzon ne se po japim godinën e PD për ndërtim!!! Turp e faqja e zezë, deri ku shkon ligësia, mashtrimi dhe sajesat e një njëriu që ka humbur arsyen. Asnjë mashtrim i Sali Berishës nuk zhbën dot dy të vërteta: dhunën e një organizate kriminale ndaj PD në 8 Janar, dhe konfirmimin e sotëm për vendosmërinë e SHBA për të bashkëpunuar me PD për të ardhmen e Shqipërisë dhe kryqi i madh i zi që i kanë vënë Sali Berishës prej kohësh.
Nga 18 Dhjetori ku demokratët lanë pas të shkuarën dhe zgjodhen të ardhmen, Partia Demokratike ka vetëm një mision: mbrojtjen e interesit publik dhe rikthimin në pushtet të PD, si e vetmja shpresë për të ardhmen e Shqipërisë”, shkruan Bardhi. /abcnews.al