Situata e brendshme dhe konflikti në Partinë Demokratike, krijoi një debat në emisionin “Real Story” në ABC News, mes analistit Skënder Minxhozit dhe deputetit demokrat, Ervin Salianji.
Minxhozi iu drejtua Salianjit duke e pyetur nëse ndihet i kënaqur që opozita fitoi vetëm 7 bashki në zgjedhjet e 14 majit, teksa ky i fundit tha se PD duhet të ribëhet.
Sipas Minxhozit, votat e opozitës nuk janë të mjaftueshme dhe nuk vlejnë në funksion të ardhjes në pushtet.
Pjesë nga debati
Skënder Minxhozi: Ndihesh mirë me 7 bashki, vazhdo zotëri, vazhdo.
Ervin Salianji: Nuk ndihem, prandaj them duhet të ribëhemi.
Skënder Minxhozi: Thua, ndihem mirë që kam 300 mijë vota dhe luftoj për 7 bashki. Jeni mbrapa, 10 vjet në opozitë.
Ervin Salianji: Thashë të kundërtat e asaj që thua ti. Unë po të them të vërtetën, 400 mijë vota nuk janë pak.
Skënder Minxhozi: 400 mijë vota janë zero. Pse s’e kupton, je politikan i vjetër.
Ervin Salianji: 400 mijë vota nuk janë zero, janë bazë e rëndësishme për të ardhur në puishtet.
Skënder Minxhozi: Nuk e prisja nga ty këtë lloj sofizmi tani.