Debati mbi emigracionin/ SHBA, cilat janë qëndrimet e Donald Trump dhe Kamala Harris?

schedule20:39 - 16 Gusht, 2024

schedule 20:39 - 16 Gusht, 2024

Gjatë tubimeve zgjedhore Nënpresidentja Kamala Harris mbështetet në të kaluarën e saj si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë.

“Unë kam ecur krahas oficerëve të zbatimit të ligjit nëpër tunelet nëntokësore përgjatë kufirit mes të Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Unë kam përndjekur bandat ndërkombëtare, trafikantët e drogës dhe njerëzve që kanë hyrë jashtëligjshëm në vendin tonë. Unë i kam përndjekur ata dhe në të gjitha rastet kam fituar”, tha zonja Harris.

Ndërsa ishte në detyrë, administrata e zotit Trump ndërtoi një mur mbi 80 kilometra përgjatë kufirit. Ai zvogëloi numrin e refugjatëve që pranoheshin në nivele historikisht të ulëta dhe zbatoi politika kufitare që ndanin fëmijët nga prindërit.

“Në zgjedhjet e nëntorit, populli amerikan do t’i krahasojë këto të dhëna dhe do t’i thotë nënpresidentes, personit që mbikqyrte çështjen e imigrantëve të paligjshëm, se ke bërë një punë shumë të keqe. Ti je turpi i vendit tonë. Je e pushuar nga puna. Ik nga këtu”, thotë zoti Trump.

Emigracioni është një nga çështjet më të ndjeshme në këto zgjedhje presidenciale. Një sondazh i organizatës “Këshilli i Çikagos” tregon se 50% e të anketuarve thonë që pjesa më e madhe e emigrantëve përbëjnë kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

Nga njëra anë, pak më shumë se gjysma e amerikanëve mbështesin ndërtimin e një muri përgjatë kufirit dhe dërgimin e trupave në kufi me Meksikën, nga ana tjetër shumica e kundërshtojnë deportimin e emigrantëve të paligjshëm.

Ndërsa Kongresi nuk arriti të miratojë reformën mbi emigracionin, trajtimi i kësaj çështjeje mbetet në varësi të veprimeve dhe rregulloreve ekzekutive, pavarësisht se kush e fiton Shtëpinë e Bardhë.

“Gjetja e një zgjidhjeje është e vështirë në mjedisin e tanishëm politik, pasi çdo vendim ekzekutiv mund të bëhet objekt i padive gjyqësore, ndërsa Kongresi, nga ana e tij, nuk ka vullnetin për të vepruar”, thotë Corey Foreman, avokat për emigracionin.

Zonja Harris është zotuar të mbështesë një projektligj të ri mbi sigurinë e kufirit. Kandidatja demokrate e ka vënë theksin tek roli, që ajo thotë se luajti ish Presidenti Trump në fillim të këtij viti, për të mos lejuar miratimin e një ligji të ri mbi emigracionin, që kishte mbështetjen e të dy partive në Senat.

“Ai e rrëzoi marrëveshjen e të dy partive, sepse mendonte që kjo do ta ndihmonte të fitonte zgjedhjet. Kjo tregon se Donald Trump-i nuk shqetësohet për sigurinë në kufi. Ai kujdeset vetëm për vetën e tij. Zotimi im është që si Presidente, unë do e rikthej projektligjin për kufirin që e rrëzoi Donald Trumpi dhe do ta nënshkruaj miratimin e tij”, tha zonja Harris.

Aleatët republikanë të zotit Trump i kanë kërkuar atij që të përqendrohet në fusha të cilat ata besojnë se ai ka përparësi ndaj zonjës Harris, veçanërisht mbi emigracionin.

Ai vazhdon të bëj thirrje për deportime masive të emigrantëve të paligjshëm dhe kritikon administratën e zotit Biden dhe zonjës Harris për atë që ai e quan, politika e kufirit të hapur.

“Me votën tuaj, inflacioni do të marrë fund, emigrantët e paligjshëm do të kthehen në vendet e tyre. Ne do t’i ndalojmë ata. E keni parë se si thonë: ‘ne kemi patur politikat më të mira për kufirin? Mrekulli. Ata kanë patur politikat më të këqija në botë”, thotë zoti Trump, raporton VOA.

Patrulla Kufitare amerikane në muajin qershor ka regjistruar 130 mijë emigrantë. Në qershorin e vitit 2019, numri i emigrantëve që hynë në Shtetet e Bashkuara ishte 104 mijë. Ky ishte viti i fundit i zotit Trump në detyrë. Shifrat e qershorit të këtij viti megjithatë janë zvogëluar tejmase nga shifrat e dhjetorit të vitit të kaluar kur në Shtetet e Bashkuara hynë 300 mijë emigrantë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!