Ish zv/presidenti amerikan Joe Biden mund të quhet fituesi i debatit të tretë të demokratëve në kuadër të zgjedhjes së kandidatit për presidencialet e 2020-s. Por analistët shprehen se protagonist i vërtetë ishte ish presidenti Obama, i cili u lavdërua nga të gjithë.
Të gjithë kundër Donald Trump, i cilësuar si i rrezikshëm, presidenti më i keq në historinë amerikane, të cilit që nga 1 Janari 2021 amerikanët do i thonë lamtumirë. Por objektivi i përbashkët në sallën e universitetit të Houston, ishte Joe Biden, i cili deri tani konsiderohet si rivali kryesor i republikanit Trump. Debati i tretë i demokratëve nxori në pah dhe dy rrymat e ndryshme që ekzistojnë brenda partisë, ajo e moderuar dhe ajo më liberale. Por sipas analistëve një gjë e tillë nuk ka ndikuar aspak në zhvendosjen e ekuilibrave.
Sulmeve të senatorit socialist Bernie Sanders që e akuzoi se kishte votuar pro luftës në Irak, ish-zëvendës presidenti amerikan i është përgjigjur me vendosmëri, madje duke mbrojtur dhe programin e “Obamacare”. Madje Biden arriti të ruante qetësinë dhe përballë teksanit Julian Castro, i cili u tall me të për shkak të humbjeve të kujtesës; duke e akuzuar se fshihej pas hijes së Obamës.
Një taktikë kjo e Kastros që rezultoi në një bumerang. Dhe nëse janë 10 kandidatët që pretendojnë emërimin përfundimtar, nga debate i tretë u bë e qartë se Obama vijon të mbetet figura më e vlerësuar brenda demokratëve. Para debatit Biden publikoi një video ku lavdëronte ish-presidentin, duke akuzuar më pas kundërshtarët brenda partisë së tij se po rrezikojnë trashëgiminë e ish-presidentit që është aktualisht e kërcënuar nga Trump.
Duke marrë për shembull shëndetësinë, Biden propozoi zgjerimin e “Obamacare”. Ndërsa Bernie Sanders premton asistencë shëndetësore falas për të gjithë ata mbi 65 vjeç, Biden e pyet se kush do të paguajë faturat. Ndërsa teksani tjetër Beto O’Rourke, u përqendrua më shumë tek armët duke qenë se El Paso vetëm pak ditë më parë ishte skena e masakrës së radhës me 7 viktima.
Senatorja kaliforniane Kamala Harris ra në sy për kritikat e saj ndaj Trump duke thënë se ai po përhapte frikë, urrejtje dhe përçarje. Menjëherë pas përfundimit të debatit kreu i Shtëpisë së Bardhë, Trump reagoi me një mesazh në Tëitter ku shkruante se idetë e demokratëve bien në kundërshtim me vlerat dhe interesat e amerikanëve të zakonshëm: Nëse nuk do të ketë surpriza, kundërshtari im do të jetë Joe Biden./ABC News Albania 24/7