Debate në Kuvend, mungon Kushi, Vokshi kërkon nxjerrjen nga salla të zv.ministres së Arsimit

schedule11:37 - 1 Nëntor, 2021

schedule 11:37 - 1 Nëntor, 2021

Ka filluar me debate mbledhja e sotme e Komisionit të Shëndetësisë dhe Arsimit, ku do të raportojnë ministret e sektorëve përkatës. Ministrja e Arsimit Evis Kushi nuk ishte e pranishme në komisioni, duke dërguar një zv.ministër ç’ka bëri që kryetarja Albana Vokshi të tërhiqte vëmendjen për mosprezencën e saj para deputetëve.

Gjatë fjalës së saj, Vokshi kërkoi largimin nga salla të zv.ministres së Arsimit deri sa të vinte ministrja duke kërkuar shtyrjen e mbledhjes. 

Qëllimi i dëgjesës është për masat e marra në kuadër te pandemisë nga shkollat për fillimin e mësimit. Kjo dëgjesë është kërkuar në mënyrë unanime. Kemi votuar që të thirren të dyja minstret. Çështja është jetike, jo vetëm për shëndetin e mësuesve, por të gjitha familjeve. Falenderova ministren e Shëndetësisë për prezencën. Ministrja e Arsimit është hera e tretë nuk vjen. Ka dërguar një e-mail që thotë se ka një angazhim tjetër.  Kushtetuta e detyron ministren që të paraqitet para deputetëve“, tha Vokshi.

Ndryshe nga Kushi, Manastirliu ndodhej aty duke i dhënë shpjegime pyetjeve të deputetëve. Reagimi i Vokshit ka shkaktuar debate edhe me deputetët e tjerë në komision.

Ndërsa Vokshi fliste ka ndërhyrë deputeti socialist Ilir Pendavinji, i cili theksoi se nga Ministria e Arsimit është prezente përmes zv.ministrit dhe se kryetarja duhej të sillej konform ligjit dhe rregullores së Kuvendit.

Ndërkohë, deputetetja e PS-së, Klodiana Spahiu tha se ministrja Kushi i kishte dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve të dërguara nga komisioni.

Ministrja e Kushi i ka dhënë përgjigje me shkrim të gjitha pyetjeve që i ka nisur komisioni. Ministrja e Arsimit është përgjegjëse direkt para Komisionit të Arsimit, komisioni i Shëndetësisë ka ministren e Shëndetësisë këtu përballë. Dhe tek Arsimi është diskutuar gjashtë orë për rihapjen e shkollave. Unë sugjeroj që të hapim mbledhjen dhe të dëgjojmë zv.ministren dhe s’ka asnjë logjikë që të largojmë nga mbledhja zv.ministren dhe stafin e ministrisë”, tha Spahiu.

Në një linjë me Vokshin ishte edhe Mesila Doda, e cila kërkoi shtyrjen e mbledhjes deri në ardhjen e Kushit për të raportuar në Kuvend. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!