DEA në kërkim të pasuesit të “El Chapo”

schedule22:32 - 13 Prill, 2018

schedule 22:32 - 13 Prill, 2018

Pas arrestimit të Joaquin “El Chapo” Guzman, i konsideruar bosi më i fuqishëm i narkotikëve në botë, administrata amerikane është vënë në kërkim të pasuesit të tij, duke ofruar një shifër rekord për këdo që jep informacione.

Agjencitë ligjzbatuese amerikane kanë njoftuar vendosjen e një shpërblimi prej 20 milionë dollarësh për këdo që jep informacione mbi Rafael Caro Quintero. Bëhet fjalë për baronin meksikan të drogës, i cili ka marrë kryesimin e listës së personave më të kërkuar nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara.

“Ai është një nga kumbarët meksikanë të narkotikëve, i dhunshëm dhe i rrezikshëm për shoqërinë. Aktualisht jeton në arrati, ndaj na duhet ndihma e publikut për ta gjetur”, ka deklaruar nëndrejtori i FBI-së, David Bowdich.

Përveç se për trafik droge, Quintero akuzohet edhe për vrasjen e agjentit të DEA-s, Enrique Camarena Salazar, në vitin 1985. Salazar u rrëmbye, u torturua dhe më pas u vra në shenjë hakmarrjeje ndaj një operacioni të forcave të rendit që asgjësuan një plantacion masiv marijuane në pronësi të Quintero.

Mosha e saktë e tij nuk dihet ende, por hetuesit besojnë se është diku mes të 50-ave dhe 60-ave. Gjatë vitit të kaluar, ai është konsideruar përgjegjës për trafikimin e sasive të mëdha të amfetaminës, heroinës, kokainës dhe marijuanës nga Meksika në Shtetet e Bashkuara. Në një video të publikuar së fundmi, ai shfaqet si një burrë plak dhe thotë se përpjekjet për arrestimin e tij janë një hakmarrje e pavend.

“Por ai nuk është thjesht një i moshuar që përpiqet të jetojë ditët e fundit. Ai është një person që vazhdon të drejtojë një organizatë kriminale”, ka deklaruar agjendi i DEA-s, Robert Patterson.

Shifra prej 20 milionë dollarë, e vendosur në kuadër të Programit për Shpërblimet e Narkotikëve të Departamentit të Shtetit, është ndër më të lartat e vendosura ndonjëherë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!