De la Fuente afër debutimit me Spanjën:  Jemi gati për Norvegjinë, më vjen shumë keq për mungesën e Haaland

schedule23:52 - 24 Mars, 2023

schedule 23:52 - 24 Mars, 2023

Pas Italisë, Anglisë, Francës, Hollandës e Belgjikës ditën e nesër për të startuar rrugëtimin në eliminatorët e Euro 2024 do të zbresë Spanja me teknikun Luis de la Funete, i cili do të bëjë dhe debutimin e tij në krye të “furia rojas”.

Në konferencën për shtyp në prag të debutimit të De la Fuente tregoi se e ka zgjedhur 11-tëshen e tij për përballjen ndaj “nordikëve” të Norvegjisë ditën e nesërme, por preferon ta mbajë të fshehtë.

“Unë kam zgjedhur tashmë se kush do të luajë, por dua ta mbaj tensionin lart deri në minutën e fundit. Jam i qetë dhe shpresoj të mos ketë pengesa, nëse ndryshoj mendje, i kam ende të gjitha garancitë e çështjes”,- tha në fjalën e tij, tekniku spanjoll.

Ndërkaq, i pyetur nga gazetarët e pranishëm në konferencën për shtyp në rast se ka ndonjë “plan B”, në rast të ndonjë surprize të papritur De la Fuente tha se nuk është një virtyt që e karakterizon.

“E kam një plan B, por nuk është një virtyt në krahasim me trajnerët e tjerë që nuk e kanë. Nëse do të bëhen ndryshime, jam i sigurt se djemtë do të jenë në lartësinë e detyrës. Janë ata që duhet të zgjidhin çdo problem. Po argëtohem, po jetoj një eksperiencë të pakrahasueshme”,- tha më tej De la Fuente.

Gjatë konferencës tekniku foli gjithashtu dhe për mungesën e Erling Haaland, teksa u shfaq disi “i lumtur” për mungesën e “bomberit” të Manchester City.

“Më vjen shumë keq, dëmtimet janë fytyra e shëmtuar e këtij sporti. Por t’ju them se do të kisha dashur ta shihja Haaland në fushë nesër do të ishte një gënjeshtër”,- është shprehur spanjolli. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!