De Biasi: Panucci ngatërron diçka. Rikthimi te Shqipëria? Pasi të ikë Reja…

schedule17:55 - 7 Prill, 2020

schedule 17:55 - 7 Prill, 2020

“Më mungon futbolli dhe ju”, shprehet nga Italia Gianni De Biasi, i cili më tej flet për situatën në vendin fqinj.“Në Itali jemi të gjithë në shtëpi, po rrimë për të shmangur infektimin nga COVID-19. Këto dy ditë ka rënë numri i të prekurve dhe shpresojmë të zerohet”,  u shpreh ish-trajneri i kombëtares shqiptare, në emisionin “Fan Zone” në Supersport.

“Më është bërë qejfi për gjestin e Ramës. Ndihma erdhi nga një shtet i vogël, që flet vetë për lidhjen mes dy vendeve”, shton De Biasi. Italianit iu kërkua një mendim për deklaratën e bërë nga Panucci, i cili u shpreh se e kishte krijuar ai grupin e kombëtares.

“Nuk dua të krijoj polemika, nuk ka sens. Panucci, kur erdhi, tha që e gjeti skuadrën në vend të katërt dhe e nxori të tretin. Në fakt ka qenë ndryshe. Gjithsesi, nuk dua të bëj polemika”, deklaroi De Biasi.

Në lidhje me oferta dhe të ardhmen e tij, italiani thotë: “Para pandemisë isha shumë pranë një kombëtareje. Gjithçka është ngrirë për momentin. Pasi të kalojë kjo, shpresojmë të mos ndryshojnë mendje”.

“Sugjerim Kumbullës? Nuk e di. Është një ide e bukur të kalojë tek Interi dhe të qëndrojë edhe një vit te Hellas Verona. Është lojtar i mirë, e kam parë pesë vite më parë kur ishte te moshat e kombëtares. Këtë sezon po tregon vlerat e tij. Është me fat Reja që e kanë një mbrojtës të tillë. Këta lloj lojtarësh e rrisin cilësisë për të ardhmen”.

“Një rikthim i mundshëm? Shqipëria është në duart e një eksperti. Kur të ikë Reja, atëherë do të rikthehesha me gjithë qejf.  Kur erdhi Panucci, u përpoqa ta këshilloja përmes informacionit. Kjo pasi skuadrën e njihja mirë. Pas një ose dy muajsh ai po ecte në rrugën e tij dhe e lashë”.

“Nuk e di ku ka gabuar Panucci. Është një çështje që nuk më intereson. Më vjen keq për Shqipërinë. Ai bëri atë që mund të bënte. Nuk ka gabuar nga keqdashja”, përfundon De Biasi. /abcnews.al