David De Gea pritet të vazhdojë karrierën tek Manchester United. Numri 1 i Spanjës do të rinovojë kontratën me një rrogë që është rekord botëror për një portier.
Beteja po luftohej në tjetër “front”, por tek Manchester United duhet të mësohesh edhe me “frontin e dytë”. Trajneri ende jo shumë i vlerësuar Ole Gunar Solskjer regjistroi një sukses të parë të madh, pasi bindi (sipas mediave) portierin David De Gea që të mos largohej.
Nuk është gjë e vogël për titullarin e Spanjës, që kërkohet nga gjithë Europa (me Paris SG në krye), dhe të cilit i përfundon kontrata verën e ardhshme. Fare lehtë, 28-vjeçari mund të priste dhe të largohej pa asnjë pengesë në 2020, por ai vendosi ndryshe.
Nuk dihet me siguri të plotë se çfarë e bindi, por e qartë është se për momentin, “Old Trafordi” iu duk vendi më I mundshëm për të pasur sukses. Paris SG nuk është aq shumë tërheqës me problemet që po kalon me Nejmarin e Mbapenë, klubet e mëdhenj në Europë i kanë portierët e tyre.
Manchester United vendosi të shpenzonte shumë, pasi i premtoi spanjollit një rrogë prej 375 000 paundë stërlina në javë (420 000 euro), që do të thotë rreth 20 milionë euro në vit.
Asnjë portier në botë nuk ka rrogë të tillë, ndërsa kjo mrekulli për De Gean do të ndodhë kur skuadra të kthehet nga turneu i verës.Objektiv tjetër i madh i Solskjerit është mbrojtësi i qendrës, Harri Megajer.
Lojtari i kombëtares së Anglisë pëlqehej që vjet në “Old Traford”, ndërsa sipas mediave, ai ia ka bërë të qartë klubit të tij, Leisterit, se dëshiron të shkojë tek United ose tek City.
Gjithsesi, Leisteri kërkon plot 85 milionë paundë stërlina për kartonin e tij, baraz me 94 milionë euro, ose një rekord botëror për një portier./ABC News Albania 24/7