Lidhur me gatishmërinë e kreut të shtetit Meta, për ndryshimin e datës së zgjedhjeve ashtu si edhe sakrifikimin e mandatit të tij presidencial, analistët Mustafa Nano dhe Mentor Nazarko thanë për ABC News se kjo mund të shërbejë si një nxitje për zhbllokimin e krizës.
Gatishmërinë e Presidentit Meta për të ndryshuar datën e përcaktuar të zgjedhjeve vendore, analisti Mustafa Nano e sheh si histori të përsëritur të mbivendosjes së vullnetit politik mbi ligjin kushtetues.
“Vullneti politik vlen gjithmonë më shumë se ligjet kushtetuese të vendit, është histori e shëmtuar por njerëzit janë më të shqetësuar për stabilitetin sesa respektimin e procedurave kushtetuese. Opozita nuk ka kërkuar këtë gjë, opozita kërkon largimin e kryeministrit ndaj nuk e kuptoj çfarë do të sillte shtyrja e zgjedhjeve”.
Ndryshe e sheh situatën Mentor Nazarko, sipas të cilit Meta i hapi rrugën Kryeministrit Rama për të mundësuar një dialog mbi këtë fakt.
“Ai zhbllokon nga pikëpamja kushtetuese krizën, duke i lënë mundësi dialogut mes palëve. Rama nuk mund të premtonte dot shtyrjen e zgjedhjeve, nëse nuk vihej në lëvizje Presidenti. Ndaj kjo ishte një lëvizje në kahun e duhur”.
Sa i përket deklaratës së përsëritur të Metës, për sakrifikimin e mandatit të tij presidencial nëse palët e shohin si pjesë të zgjidhjes, ai u shpreh:
“Kjo do t’i bënte mirë edhe Presidencës, sepse Meta është shumë i lidhur me njërën palë edhe për shkak të disponimit apo historisë politike që ka pas shpine. Kështu që largimi i Metës do i bënte mirë presidencës dhe opozitës vetë sesa do afrohej në opozitë një njeri i fortë që do fuqizonte kauzën e opozitës, por mund të sillte rivalitet mes Bashës dhe Metës për rolin e liderit të opozitës. Nëse kjo dorëheqje e Metës do të ndërgjegjësonte palët për t’u ulur në dialog atëherë ky është mesazhi i duhur”.
Në situatën ku ndodhemi, Nazarko dorëheqjen e kreut të shtetit ai e sheh si problematike.
“Ky mendoj se është mesazh jo i drejtë, por nëse funksionon thekson krizën. Do ishim një vend jo serioz”.
Për Mustafa Nanon kërkesa e opozitës për largimin e Kryeministrit Rama është surreale, ashtu si pretendimi se zgjedhjet lokale mund të mbahen pa opozitën. /ABC News Albania 24/7