Interi sulmoi, krijoi raste, tentoi deri në sekondën e fundit, por nuk ia doli dot t’i shënonte gol Shakhtar Donetsk. Sfida e mbrëmjes së kaluar në “San Siro”, përfundoi në barazim pa gola, rezultat që solli fundin e aventurës europiane të zikaltërve.
Skuadra e Antonio Contes e mbylli grupin B në vend të fundit. Real Madrid dhe M’Gladbach u kualifikuan në raundin e 1/16, ndërsa ekipi ukrainas do të luajë në Europa League. Trishtim i madh në kampin e Interit, por tifozët konfirmojnë dashurinë pa kushte ndaj ekipit të zemrës.
“Curva Nord”, grupim ultras që mbështet ekipin italian, ka reaguar me anë të një komunikate zyrtare. “Eliminimi nga Champions djeg dhe na dhemb shumë, kjo është e qartë. Ekipi sërish nuk ia doli të arrinte atë që meriton kjo stemë, por llogaritë t’i bëjmë në fund.
Këshillojmë të gjithë interistët t’i japin fund zakonit të rënkimeve dhe ankesave të padobishme. Të mendojmë për kampionatin, të mendojmë pozitivisht. T’i japim besim klubit dhe skuadrës, e kemi për detyrë. Ne jemi tifozë dhe jo opinionistë. Ne jemi dashuri e pakushtëzuar. Pikë“. /abcnews.al

