Sekretari Amerikan i Shtetit, Reks Tillerson, ka rënë dakord me homologun e tij rus, Sergej Lavrov për të vazhduar mënyrën diplomatike për krizën me Korenë e Veriut. Në një bisedë telefonike, dy zyrtarët theksuan se Peniani nuk mund të jetë fuqi bërthamore.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se udhëheqësit e diplomacisë amerikane dhe ruse, Rex Tillerson dhe Sergei Lavrov, kanë rënë dakord për të vazhduar iniciativat diplomatike për krizën me Korenë e Veriut. Dakordësimi u arrit pasi dy burrat e shtetit folën me telefon një ditë më parë. “Ata diskutuan shqetësimet mbi programin bërthamor destabilizues të Republikës Popullore Demokratike të Koresë dhe kanë theksuar se as Shtetet e Bashkuara dhe as Rusia nuk mund ta pranojnë që Koreja e Veriut të jetë një fuqi bërthamore”, tha Heather Nauert , zëdhënëse e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Gjatë bisedës mes Lavrovit dhe Tilersonit, ministri i jashtëm rus ka theksuar se retorika agresive nga Uashingtoni nuk kontribuon për të ulur tensionin në gadishullin Korean. Rusia propozoi që të jetë ajo ndërmjetësja në rast të bisedimeve të mundshme midis Uashingtonit dhe Penianit. Tillerson më herët ka deklaruar se është për gjetjen e një zgjidhje diplomatike, por administrata e Donald Trump rregullisht i ka kujtuar kryediplomatit amerikan se të gjitha opsionet janë në tryezën e Penianit. Në tetor, presidenti i SHBA vlerësoi se Sekretari i tij i shtetit po “humbiste kohën e tij”, duke u përpjekur për të negociuar me regjimin e Kim Jong-un.
Në një raport mbi prespektivat e vitit 2018 të bërë publik të martën, Koreja e Jugut parashikon se Pheniani do të kërkojë hapjen e negociatave vitin e ardhshëm me Shtetet e Bashkuara lidhur me programet e saj të armëve dhe se do të tentojë në të njëjtën kohë edhe të afrohet me Seulin zyrtar./abcnews.al
Gazetar i ABC News: Xhevahir Qardaku