Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Vedant Patel përsëriti se mbështetja e SHBA për Izraelin është “e hekurt dhe e palëkundur” ndërsa bisedimet me zyrtarët izraelitë dhe partnerët rajonalë për “rëndësinë e de-përshkallëzimit” janë në vazhdim.
“Angazhimi ynë për sigurinë e Izraelit dhe përkushtimi ynë për vetëmbrojtje të tyre është i palëkundur, dhe është gjithashtu e rëndësishme të bëjmë një hap prapa dhe të kujtojmë se ne dënojmë në termat më të fortë këtë sulm të pamatur dhe të papërgjegjshëm nga regjimi iranian,” deklaroi. Patel për Al Jazeera.
Irani ka thënë se sulmi i tij i fundjavës ishte si hakmarrje për sulmin e Izraelit në konsullatën e tij në Damask, por Patel argumentoi se shtrirja e sulmit të Iranit ishte gjithashtu një “shkelje”.
“Shtetet e Bashkuara janë ende duke bërë një vlerësim për statusin e këtij objekti [konsullatës së Iranit]. Nuk kam ndonjë përditësim për të ofruar për sa i përket kësaj, por përsëri, numri i madh i raketave balistike dhe dronëve që Irani lëshoi mbi Izraelin është krejtësisht i papërgjegjshëm dhe i pamatur.”/abcnews.al