DASH: S’mund të vendosim kornizë kohore për njohjen Kosovë-Serbi

schedule15:22 - 9 Mars, 2023

schedule 15:22 - 9 Mars, 2023

Departamenti i Shtetit të ShBA-së e sheh Asociacionin e komunave me shumicë serbe si kyç për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si shtet sovran e i integruar në strukturat euroatlantike. DASH theksoi se nuk mund të vendosin kornizë kohore për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi.

Zëdhënësi i DASH-it, Ned Price, gjatë një konference të mërkurën u shpreh se përmes dialogut, besojnë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

I pyetur se sa larg është nga njohja reciproke Kosovë-Serbi, Price nuk dha ndonjë afat kohor, por theksoi se duan që tensionet Kosovë-Serbi të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur. Ai deklaroi se do të ndërmarrin çdo hap për të mbështetur përshpejtimin e  përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sigurisht që ne duam që këto çështje, këto tensione mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe kështu ne do të mbështesim këtë dialog të BE-së. Ne do të ndërmarrim çdo hap që mundemi si partner i Kosovës dhe i Serbisë dhe i BE-së për të mbështetur përshpejtimin në çdo mënyrë të mundshme të përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, ne thjesht nuk mund të vendosim një kornizë kohore për të. Sigurisht që ne duam që këto çështje të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur.”, shtoi ai.

Më 27 shkurt në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për të nënshkruar planin evropian, porse Serbia nuk ka qenë e gatshme.

Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Prishtinë. Me vizitën e tij, ai do të bëjë përgatitje për mbajtjen e takimit tjetër më 18 mars në Ohër. Lajçak, pas Prishtinës do të qëndrojë edhe në Beograd.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!