DASH:  Kosova e Serbia të shmangin retorikat negative

schedule10:58 - 8 Gusht, 2018

schedule 10:58 - 8 Gusht, 2018

Në një reagim pas deklaratave më të fundit nga eksponentët në Kosovëdhe Serbi, Departamenti Amerikan i Shtetit kërkon nga politikanët në të dy vendet të shmangin retorikat negative dhe të punojnë së bashku në mënyre konstruktive.

Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin retorikën negative dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje që siguron qëndrueshmëri për të dyja vendet dhe rajonin.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Zërin e Amerikës se “politika e kësaj administrate është e qëndrueshme: thelbi i çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. SHBA do të vazhdojë të mbështesë të dyja palët dhe Bashkimin Evropian si lehtësues. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon. Kjo do të kërkojë largpamësi dhe elasticitet nga të dyja anët. Ne inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë të procesit, të ulin retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive”, thuhet ndër të tjera në deklaratën për Zërin e Amerikës.

Ditët e fundit janë shtuar idetë e hedhura nga të dyja palët për ndarjen e territorit të Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo “korrigjimin e kufirit” në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të nxirrnin një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që ka hyrë në vitin e 11-të pavarësisë dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë.

Marrëveshja është kusht për të dy vendet që të përparojnë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!