DASH: Korrupsioni në Shqipëri, i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes

schedule09:19 - 21 Prill, 2018

schedule 09:19 - 21 Prill, 2018

Një shuplakë i vjen qeverisë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. DASH ka publikuar raportin vjetor për të Drejtat e Njeriut ku thekson se korrupsioni në Shqipëri është i përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Korrupsioni në Shqipëri është i përhapur në të gjitha nivelet. Konstatimi vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka publikuar raportin vjetor për të drejtat e njeriut.

Problemet më të konsiderueshme të të drejtave të njeriut vitin qe lam pas në vendin tone sipas raportit ishin:

“Kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve shkaktuar nga interesat financiare dhe politike; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë”.

Ndërkohë që pandëshkueshmërinë Departamenti Amerikan i Shtetit e konsideron një problem serioz.

“Ndjekja penale dhe veçanërisht gjetja fajtorë e zyrtarëve që kanë kryer shkelje ishte sporadike. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ishin shpesh në gjendje të shmangnin ndjekjen penale”,  thuhet ne raportin vjetor i cili vë në dukje se:

“Mes Janarit dhe Gushtit të vitit të shkuar, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm regjistroi 185 hetime të reja korrupsioni. Gjatë së njëjtës periudhë, 122 persona dolën në gjyq për shkelje të lidhura me korrupsionin dhe 99 u shpallën fajtorë”,

“Ndërsa prokurorët shënuan përparim të konsiderueshëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit në nivele të ulëta, përfshirë prokurorë dhe gjykatës të korruptuar, ndjekja penale e krimeve të niveleve më të larta nuk po ndodh, për shkak të frikës së hetuesve për hakmarrje, një mungese të përgjithshme burimesh dhe korrupsionit brenda vetë gjyqësorit”, thekson raporti për të Drejtat e Njeriut.

Probleme të ngjashme përmenden edhe për gjyqësorin.

“Presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara disa herë nuk e lejuar gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efektive”, thuhet në raport.

Politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese sipas Departamentit Amerikan te Shteit vunë në rrezik pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve dhe se Ministria e Drejtësisë nuk mori masa të duhura disiplinare ndaj gjykatësve.

Raporti thekson se në përgjithësi autoritetet mbajtën kontroll efektiv mbi policinë, Gardën e Republikës, Forcat e Armatosura dhe shërbimin e zbulimit, “megjithëse zyrtarët herë pas here përdorën burime shtetërore për përfitime personale dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë kryen shkelje”.

“Policia jo gjithmonë e zbatoi ligjin në mënyrë të balancuar. Lidhjet personale, ato politike ose kriminale, infrastruktura e dobët, mungesa e paisjeve ose menaxhimi i papërshtatshëm kontribuan në korrupsionin e vazhdueshëm dhe sjellje joprofesionale. Autoritetet vazhduan të bëjnë përpjekje për t’i trajtuar këto probleme duke riparuar ambjentet e policisë, duke marrë automjete më të reja dhe duke nxjerrë në pah masat antikorrupsion”, thuhet në raport.

Sa i përket zgjedhjeve Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se u “respektuan liritë themelore, por u ndikuan negativisht nga akuzat për blerje votash dhe presion ndaj votuesve”, për këtë çështje i referohet OSBE-së.

Ndërsa për lirinë e shprehjes dhe medias, raporti thotë se qeveria në përgjithësi i respektoi këto të drejta, por shton se pati njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ushtrojnë ndikimi tek media në mënyrë të papërshtatshme.

Po ashtu, “presioni politik, korrupsioni, mungesa e fondeve e ndrydhën median e pavarur të shkruar dhe problem mbeti autocensura”./abcnews.al