Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se ka informacione të besueshme për përfshirjen e deputetit shqiptar Tom Doshi në afera korruptive. Në një përgjigje për Tv Klan, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit thotë se po shqyrtohen edhe raste të tjera të cilat do tu komunikohen personave në fjalë publikisht ose privatisht sipas rastit.
Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se vendimin për të shpallur “non grata” të deputetit shqiptar Tom Doshi e mori në bazë të informacioneve të besueshme se ai ka qenë i përfshirë në afera korruptive gjatë mandatit të tij si anëtar i Kuvendit. Pas interesimit te Tv Klan, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk përmend çështje konkrete ku Doshi është i përfshirë, por thotë se korrupsioni prek interesat e sigurisë kombëtare amerikane, por edhe të vendeve partnere.
“Departamenti ka informacione të besueshme se z. Doshi ka qenë i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm gjatë mandatit të tij si deputet. Në përgjithësi, korrupsioni shkakton kosto të konsiderueshme për ekonominë, shoqërinë dhe sigurinë; mund të lehtësojë krimin e organizuar; dhe degradon besimin në sundimin e ligjit dhe qeverisjes. Kjo ndikon drejtpërsëdrejti interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-ve, ekonomike dhe të jashtme, dhe, ne besojmë, dhe të vendeve partnere”.
Vendimi për të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të deputetit Tom Doshi vjen pas atij të dhënë në fillim të vitit për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. Por a ka të tjerë zyrtarë të lartë shqiptarë për të cilët do të merret e njëjta masë? Në Departamentin e Shtetit thonë se rastet janë në shqyrtim.
“Kur Departamenti i Shtetit merr informacion të besueshëm se një zyrtar ka qenë i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm dhe /ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, Departamentit i kërkohet të caktojë zyrtarët dhe anëtarët e tyre të ngushtë të familjes sipas nenit 7031 (c). Ne po shqyrtojmë në mënyrë aktive rastet dhe e zbatojmë këtë autoritet globalisht. Varësisht nga rrethanat e veçanta, disa përcaktime bëhen publikisht, ndërsa të tjerat bëhen privatisht”.
Vetë deputeti i Shkodrës, nuk ka pranuar të bëjë komente pas vendimit të departamentit të shtetit. Kundër tij ka pasur në të kaluarën një reagim të Ambasadës Amerikane në Tiranë e cila përshëndeste përjashtimin e Doshit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste më 2 mars 2015. /abcnews.al