Dardha e Librazhdit mes 100 fshatrave turistike, banorët: Nuk ka investime, po rrënohemi

schedule12:00 - 31 Maj, 2020

schedule 12:00 - 31 Maj, 2020

Banorët e disa fshatrave turistike shprehen me nostalgji për zonat e tyre. Ata tregojnë për kohën kur vendi kishte gjallëri.

“Duam të shohim dhe ne një gjë të mirë. Të rinjtë u larguan, ndërsa ne mbetëm këtu. Fëmijët na thonë të shkojmë pranë tyre, por vendi nuk lihet. Fshati është i bukur, por shteti s’ka vënë dorë”, shprehet një i moshuar.

Gjatë rrugës për në fshatin Dardhë të Librazhdit takuam Qazim Koçin që pretendon se është më i moshuari në zonë. Ai na fton në banesë e tij dhe flet me nostalgji për kohën kur në fshat vinin turistë.

“Fshati më parë kishte gjallëri dhe lezet. Por nëse nuk rregulluan gjërat atëherë nuk vjen njeri”, shprehet ai.

Dardha është fshat i Librazhdit që ofron pamje të jashtëzakonshme dhe shumë histori. Është përzgjedhur dy vite më parë nga qeveria mes 100 fshatrat turistike ku do investohet me qëllim zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës. Po me sa thonë banorët deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar përkundrazi as rrugët nuk mirëmbahen më.

“Para dy tre vjetësh është bërë një projekt për fshatrat turistikë, por asgjë nuk është bërë, madje po rrënohemi më keq. Rrugët kanë vite që nuk mirëmbahen. Këtu në lagjen e Malit vinin makinat e vogla pa vështirësi tani nuk vijnë më mbeten tek asfalti”, tregon ai për “ABC News”.

Ndërsa banorë të zonës theksojnë se duhet të bëhet ndërhyrje nga shteti, pasi nuk mjafton vetëm bukuria e zonës.

“Po të ndërhyjë shteti t’i mirëmbajë rrugët vijnë turistët”, shprehet një i moshuar.

“Nuk është puna që jemi vetëm fshat i bukur, po nuk pati investime dhe ndërhyrje nga shteti çdo gjë është e marrë fund”, thotë një tjetër qytetare.

Kjo është një zonë me pasuri natyrore dhe historike që datojnë që në kohën e Skënderbeut. Gudia jonë na tregon më shumë për rrugën Egnatia apo të famshmin gur të Skënderbeut.

“Këtu ndodhet mulliri i vjetër shekullor, si dhe rruga Egnatia që kalon sipër nesh. Kjo ka qenë një rrugë kyçe sepse lidhej me Turqinë, por ka ndikuar klima dhe dora e njeriut që e kanë shkatërruar. Tashmë kanë ngelur dy pjesë të vogla, muri bizantin që ndodhet pas shpinës sime. Këto duhet të ruhen më çdo kusht që të kemi një pjesë të historisë”, shprehet ai.

Disa të rinj që kanë mbetur në këtë fshat përpiqen të shoqërojnë turistët e pakët që vijnë si këta dy të rinj që përgjatë gjithë kohës shkrepin fotografi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!