Danimarkë, shpërthim në komisariatin e policisë

schedule11:45 - 10 Gusht, 2019

schedule 11:45 - 10 Gusht, 2019

Në Kopenhagen të Danimarkës është regjistruar shpërthimi i dytë brenda një jave ndaj godinave të institucioneve. Këtë herë në shënjestër ka qenë një komisariat policie, ku për fat të mirë nuk kanë mbetur persona të lënduar.

Një shpërthim është verifikuar në një stacion policie në Kopenhagen të Danimarkës, i dyti që godet qytetin brenda një jave. Ndërtesa e komisariatit është dëmtuar si pasojë e shpërthimit, por për fat të mirë askush nuk ka mbetur i lënduar nga incidenti, i ndodhur në orët e para të së shtunës fare pranë qendrës së qytetit.

Ditën e martë, një shpërthim i fuqishëm ndodhi jashtë zyrës kombëtare për mbledhjen e taksave, të cilin autoritetet e cilësuan një sulm me paramendim. Sidoqoftë, për momentin është e paqartë nëse dy incidentet janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Policia vendase ka deklaruar se është në kërkim të një personi që është parë të largohet nga vendi i ngjarjes, tek stacioni i policisë, i veshur me rroba të zeza dhe atlete të bardha.

“Ky nuk ishte një aksident, por një akt i paramenduar”, ka deklaruar kryeinspektori Jorgen Bergen Skov, duke shtuar se hetimet janë në zhvillim dhe për momentin nuk ka asnjë element që të sugjerojë për një sulm terrorist. “Këto ishin sulme kundër godinave të shtetit, jo njerëzve. Por është shumë herët për të folur për motivet”, ka shtuar Bergen Skov. Më herët gjatë javës, në shpërthimin e ndodhur në zyrën e taksave, një person mbeti i plagosur. Shpërthimi, që u regjistrua gjatë orëve të natës, shkatërroi dritaret dhe dëmtoi fasadën e ndërtesës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!