Danimarka, histori suksesi në menaxhimin e Pandemisë

schedule23:28 - 22 Prill, 2020

schedule 23:28 - 22 Prill, 2020

Danimarka  është një ndër vendet që duket ka shënuar një histori suksesi në përballjen e koronavirusit. Për të folur për këtë situatë ishte në një lidhje direkte në emisionin “Ballkan”, gazetari danez Steen Ramsgaard.

Pjesë nga intervista:

Si është situata në Danimarkë?

“Numri i njerëzve në kujdes intensiv po bie dhe ka qenë në rënie javën e fundit, dhe kjo është një shenjë shumë e mirë që masat që janë marrë po funksionojnë në fakt. Në anën financiare, ka qenë shumë e vështirë. Më shumë se 40 mijë njerëz kanë humbur vendet e punës, një numër kompanish të vogla kanë qenë të detyruara të mbyllen, njerëzit janë dërguar në shtëpi nga zyrat dhe vendet e tyre të punës me qindra, mijëra. Dhe qeveria ka premtuar të japë ose të shpenzojë 40 miliardë euro kompensim për pagat dhe shitjet e humbura të kompanive. Dhe kjo është vetëm pjesë e faturës që duhet të paguhet. Do të ketë më shumë shpenzime në të ardhmen, në javët dhe muajt që vijnë.

Çfarë masash janë marrë nga qeveria?

“Mënyra sesi është menaxhuar kriza shëndetësore është shumë shumë mirë do të thosha. Është drejtuar nga kryeministrja, ajo fitoi zgjedhjet në qershor vitin e kaluar, kështu që nuk ka shumë përvojë. Por e ka përballuar këtë krizë me shumë energji, me shumë informacion të mirë për ne dhe shumë shpjegim të mirë se pse ne duhet të bëjmë atë që ajo na kërkon të bëjmë.”

Si po u përgjigjet popullsia këtyre masave?

Njerëzit dëgjojnë dhe po bëjnë atë që supozohet të bëjnë sipas kryeministres. Ajo është në një situatë të vështirë. Ajo drejton një qeveri pakice, partia social demokrate ka vetëm 48 vende në parlamentin danez dhe parlamenti ka 179 vende në total. Kështu që ajo duhet të manovrojë, të bëjë koncesione, të përkulet dhe të thotë, ne mendojmë këtë, por për të arritur të kemi shumicën na duhet të ndjekim planet tuaja, kështu që është një situatë ku duhet të bësh kompromise. Dhe ajo ka qenë shumë e mirë në këtë. Dhe e gjithë opozita e ka mbështetur atë dhe qeverinë e social-demokratëve, dhe ka pasur marrëveshje për vendimet e mëdha që janë marrë këtu.

Cili është impakti ekonomik?

Nëse shikon bursën, humbjet ishin të mëdha në fund të marsit dhe fillim të prillit, mendoj se ishte me rënie më shumë se 30 përqind, tani është përgjysmuar. Kështu që bursa është rritur të paktën 15 përqind. Ende është 15 përqind pas nga ajo që ishte në mesin e shkurtit, por shumë më mirë sesa ç’ishte vetëm pak javë më parë. Ne do duhet të hapim ngadalë shoqërinë daneze, me qëllim që kompanitë të kenë mundësi të prodhojnë përsëri. Por një gjë është që mund të prodhosh dhe që shoqëria po funksionon mirë, dhe tjetra është, çfarë ndodh me tregjet. Gjysma e ekonomisë daneze punon për eksport, dhe vendet ku eksporton si Spanja ose Italia, apo Amerika, nëse ato nuk funksionojnë mirë, njerëzit nuk do ti blejnë produktet e tua. Kështu që kemi varësi, jo vetëm që ne ta zgjidhim këtë problem, këtë krizë shëndetësore, por edhe fqinjët tanë, partnerët tanë në Bashkimin Evropian dhe tregjet tona jashtë të ringjallen gjithashtu në mënyrë që të blejnë përsëri produktet tona. /abcnews.al