Coronavirusi vazhdon të përhapet me shpejtësi në të gjithë botën. Italia është vendi më i goditur, ku numri i vdekjeve i ka kaluar 10,000 persona. Përveç humbjeve në jetë, një goditje të madhe ka pësuar edhe ekonomia, ku sigurisht edhe futbolli është prekur.
Seria A ende nuk dihet se kur do të rifillojë, ndërkohë që të gjithë klubet po kalojnë një krizë financiare. Sipas parashikimeve, humbjet llogariten deri në 700 milionë euro, shifër kjo që mund të kalohet në muajt e ardhshëm.
Juventus është një nga klubet me humbjet më të mëdha dhe drejtuesit mund të bëjnë një sakrificë për të dalë nga kjo situatë e vështirë. Zgjidhja është Cristiano Ronaldo. Sipas Daily Mail, juventinët mund ta shesin portugezin për vetëm 63 milionë stërlina dhe kjo do të sillte daljen nga kriza financiare.
E ardhmja e CR7 me shumë mundësi do të jetë Premier League, ku Manchester United e pret me krahë hapur. Gjithsesi ende nuk ka asgjë konkrete dhe gjithçka pritet të mësohet në ditët në vijim. /abcnews.al