TIRANË- Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, në seancën e kësaj të hënë kaluan me votim dakordësinë për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare.
Më shumicë votash, Kuvendi miratoi ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe Komisionit për Reformën Territoriale.
Analisti Martin Leka, i ftuar në “News Line” u shpreh se dy partitë kryesore duhet të bënin një hap kalorësiak, që partive të vogla t’u jepnin mundësinë të ishin jo thjesht të pranishme në komisione, por të kishin të drejtë vote.
“Partitë e mëdha, PS dhe PD kanë rënë dakord në shumë çështje gjatë këtyre 35 viteve kur kanë parë interesat e tyre.
Opozita shpreson që një ditë mund të vijë në pushtet dhe ka rënë dakord me mazhorancën, dhe ndërkohë kemi dhe ca parti të vogla, që mund të bëhen të mëdha, që janë përjashtuar nga vendimmarrja nga këto komisione, edhe pse kanë nga një anëtar pa të drejtë vote.
PD dhe PS duhet të kishin bërë një akt kalorësiak dhe kishin futur në komisione partitë e vogla me të drejtë vote.”, tha ai./abcnews.al

