Daja: Teuta është treni i fundit për Partizanin, Mëllugja është larguar zyrtarisht

schedule10:16 - 16 Maj, 2021

schedule 10:16 - 16 Maj, 2021

Partizani luan nesër një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, ku sfidon Teutën dhe ka mundësinë e fundit për ta pasur vetë në dorë fitimin e titullit kampion. Para kësaj ndeshje në konferencë për mediet ishte trajneri i të kuqve, Ilir Daja, që tha se fitorja është detyrë nesër dhe tregoi se Mëllugja, i ardhur në janar nga Bylisi për 25 mijë euro, ka ndërprerë kontratën me klubin.

“Është ndeshje ku luhet gjithçka sepse nëse duam t’i kemi gjërat në dorën tonë, është treni i fundit. Është e vështirë sepse luan vendi i parë dhe i dytë dhe Teuta ka atë vend në renditje sepse ka ditur të menaxhojë mirë. Janë mbrojtja më e mirë dhe ne kemi sulmin më të mirë, megjithëse loja ka dy faza dhe duhet të mos përballemi vetëm me këtë krahasim.

Duhet të mendojmë edhe për mbrojtjen sepse ata kanë lojtarë që nëse i lë hapësira, të godasin. Dy sezone pa fituar në Durrës? Kam dëgjuar se Partizani kishte 7 vite pa fituar me një ekip tjetër, për etikë nuk po e përmend. Besoj se në këtë vit që unë drejtoj Partizanin, kemi pikë të barabarta në përballjet me Teutën.

Nesër do luajmë për tre pikët dhe në rast se i marrim, favorizohemi në ndeshjet direkte. Raporti është 50-50. Duhet të përqendrohemi shumë sepse Teuta pëson pak gola. Duhet të sulmojmë më me shumë forca, po duke pasur një tjetër mënyrë të luajturi në Durrës sepse duhet të luftojmë vetëm për fitoren.

Kemi një problem me një nga lojtarët, që ka bërë ekzaminimin sot dhe ka dalë e pastër, duke qenë se ka vetëm kontrakturë, jo tërheqje. Të gjithë lojtarët që kanë ardhur në janar kanë pasur dëmtime, jo ata që kanë qenë me ne në fazën përgatitore. Duke parë këtë element pozitiv jemi të kënaqur sepse nuk kemi dëmtime dhe jemi mirë fizikisht.

Unë nuk jam këtu për Teutën, por po shikoja kalendarin e ndeshjeve në vazhdim dhe mendoj se as atyre nuk u intereson barazimi nesër sepse pas nesh luan me Laçin. Ne e kemi detyrë, por nuk do e humbim balancën. Ngjeshja e kampionatit ka bërë të vetën dhe të gjithë ekipet kanë ndjerë lodhje fizike. Të gjithë jemi të barabartë në këtë aspekt.

Na gëzon gjendja jonë fizike, kemi vërtetuar se jemi më të mirë se të tjerët. Mëllugja është larguar. Ka qenë shumë korrekt largimi i tij, duke parë hapësirat e munguara, jo për faj të Partizanit, apo stafit, por për faj edhe të tij sepse kur ka ardhur te Partizani kishte shkëputur stërvitjen. Kanë gjetur dakordësinë dy-palëshe dhe në një mënyrë shumë korrekte kemi vendosur që klubi dhe lojtari të shkëpusin bashkëpunimin”, u shpreh Daja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!