Daja: Teuta ekip i vështirë, vendosin episodet! Ju tregoj pse e nisim ngadalë

schedule11:19 - 8 Dhjetor, 2020

schedule 11:19 - 8 Dhjetor, 2020

Ilir Daja, para ndeshjes kundër Teutës ka dalë në konferencë për shtypin dhe ka folur për sfidën e radhës dhe gjendjen në skuadrën e tij. Ai paralajmëron se me shumë gjasa nuk do të ketë ndryshime nga derbi, për shkak të kundërshtarit që kanë përballë.

“Mendoj se nuk do të ndryshojmë shumë, edhe pse kemi nevojë për rotacion. Do ketë lëvizje të limituara, ose mund të luajmë me të njëjtin formacion. Kemi një seancë dhe më pas do të vendosim bashkë me stafin. Ajo që do të ndryshojë është manovra në fazën e sulmit, kjo jo vetëm sa u takon sulmuesve por gjithë ekipit në aksionet ndërtuese”.

SFIDA ME TEUTËN – “Është një ndeshje që do të zgjidhet nga episodet, për vetë faktin që Teuta nuk ka humbur ende dhe ne kemi shumë ndeshje që nuk pësojmë. Kjo do të thotë që të dyja ekipet në fazën e mbrojtjes, për mënyrën se si luajnë, do jetë një ndeshje e luftuar në mesfushë. Kjo do të sjellë vështirësi për të dyja ekipet në ndërtimet e aksioneve sulmuese. Ndeshja mund të zgjidhet me episode, pasi u bënë disa ndeshje radhazi dhe u pa që po shënohet pak javën e kaluar. Kondicioni nuk është ai i fillimit të kampionatit.

RËNDËSIA E PIKËVE – “Momentalisht, me ngjeshjen e klasifikimit, më e rëndësishme është marrja e tre pikëve. Nëse merret me lojë të bukur do të thotë që ke më shumë elementë për vazhdimësinë. Lojtarët e mira e çojnë ekipin drejt marrjes së ndeshjeve. Nesër, duke qenë ndeshje e vështirë, marrja e 3 pikëve është gjëja kryesore për të cilën futemi në fushë kundër Teutës”.

OBJEKTIVAT E TEUTËS – “Jam këtu të flas për pjesën e Partizanit, Teuta i di vetë objektivat e veta. Kanë të drejtën të kenë objektiva maksimale, pasi fituan Kupën e Shqipërisë dhe kanë ruajtur grupin. Edhe pse nuk kanë fituar shumë, ata janë një ekip shumë i vështirë për t’u mundur. Ata e kanë zero kolonën e humbjeve dhe do të thosha se nuk mund të flas për objektivin e Teutës. Ne i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës, duam të rritemi dhe të automatizojmë veprimet tona në lojë”.

FORMACIONI – “E thashë edhe më lart. Kemi edhe një seancë sot, por nuk kemi vendosur. Ka pak kohë për ta përgatitur ndeshjen me detaje, qoftë nga ana teknike, qoftë në strategji. Rotacioni bëhet edhe për të motivuar ata që kanë luajtur pak. Do të thoja, duke menduar pikat e forta të Teutës, do na duhet të tregohemi të kujdesshëm. Sot vendosim nëse ndryshojmë formacionin ose jo.

ELBASAN ARENA – “Fusha në Elbasan favorizon ekipin më të mirë. Është në favor të ekipit që komandon lojën dhe shpresoj të jemi ne. Partizani ka luajtur 4 ndeshje në transfertë dhe dy në Elbasan. Pas Vllaznisë kemi shumicën e ndeshjeve në shtëpi.

GOLAT NË FUND – “Nuk kemi nisje të avashtë, por ka intensitet ndeshjes dhe pamundësi për të studiuar kundërshtarët. Nuk ke kohë dhe pak informacion për kundërshtarin. Ke vetëm dy seanca dhe nuk i kap dot detajet. Bëhet ajo nisje për të studiuar kundërshtarin dhe për të parë pikat e forta dhe të dobëta.

ASANI – “Nëse kemi ecuri pozitive, e gjithë merita është e lojtarëve. Ata kanë sakrifikuar duke luajtur edhe në pozicione jo natyrale. Është e gjithë lojtarëve, pasi kemi vetëm katër mbrojtës dhe nuk kemi pësuar. Kjo nënkupton që faza e mbrojtjes ka funksionuar mirë dhe kjo për meritë të gjithë djemve. Kemi Bardhin që luan në pozicion të ri, por do kohë. Asani ka potencial, është nga më të mirët në aspektin individual. Dëmtimi e penalizoi. Kur të jetë në gjendjen më të mirë mund ta nisë nga fillimi, pasi na duhet potenciali i të gjithëve”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!