Daja: Opsioni i vetëm i Partizanit është fitorja, me të rinjtë kemi të ardhme të sigurt

schedule11:07 - 25 Nëntor, 2021

schedule 11:07 - 25 Nëntor, 2021

Partizani do të përballet ditën e nesërme me Teutën në kuadër të javës së 10-të ta kampionatit, sfidë e cila do të luhet në “Elbasan Arenë” ora 16:45.

Pas mbylljes së fazës së parë demat grumbulluan vetëm 9 pikë, dhe në këtë përballje kundër djemve të detit do kërkojnë fitoren për të kthyer moralin në favor të tyre.

Për këtë ndeshje ka dal në konferencën për shtyp edhe trajneri Ilir Daja i cili është shprehur se këtë sfidë e vlerëson maksimalisht dhe se përballë kanë një skuadër që i ka mundur në fazën e  parë të kampionatit.

Faza e parë– “Kemi krizë rezultatesh, sepse Partizani nuk është mësuar me këto rezultate. Por kemi paraqitur një lojë, ku nuk jemi dominuar nga ekipet e tjera. Po ti bësh një analizë fazës, besoj se të gjitha ekipet kanë qenë të paqëndrueshme, ashtu si Partizani. Me përjashtim të 2 ekipeve të para. Në lojë kemi bërë më mirë se të tjerët dhe kjo na jep garanci”.

Objektivi –“Vetëm fitore kërkon Partizani, kemi rreth 2 javë që jemi mbledhur dhe kemi thënë që të gjithë bashkë do ta kalojmë këtë sfidë. Teuta është kampionia në fuqi, një skuadër cinike, që të godet. Nesër do të jemi të gjithë bashkë, që të arrijmë suksesin”.

Ndryshimi i skemave-“Nuk ka të bëjë me ndryshimin e manovrës, por me kundërshtarin dhe lojtarët që kemi në dispozicion. Në 4-4-2 nuk mund të fusësh një lojtar mbrojtës, por koha e pakët për të përgatitur këtë përballje na bën të mundur që me spostimin e Grigorov të kemi një skemë të përafërt me atë që kemi përdorur”.

Ndërthurja e lojtarëve– “4 apo 5 lojtarë të rinj janë pjesë e formacionit titullar. Nuk i kanë bërë ata gabimet, i kemi bërë të gjithë bashkë. Nga ana psikologjike lojtarët e rinj vuajnë pak më shumë, por me këta të rinj kemi një të ardhme të sigurte”.

Tifozët- “Duan fitore dhe e kuptoj dëshpërimin e tyre, të njëjtën gjë përjetojmë edhe ne si lojtarë dhe staf. Rezultati është qëllimi kryesor, por edhe loja e bukur është shumë e rëndësishme. Tifozët duan që lojtarët të japin maksimumin në fushën e lojës, këtë e kemi bërë dhe jemi të mërzitur nga kjo krizë rezultatesh.

Tifozët janë pjesë e klubit, sidomos tifozët e Partizanit. Nuk bëj komente këtu, do të flasim në fushën e lojës dhe keqkuptimet do ti zgjidhim. Luajmë për tifozët, jemi me ta, vuajmë dhe gëzojmë bashkë me ta”.

Dëmtimet-“E njëjta skuadër që luajti kundër Laçit, ata që munguan në atë sfidë do të mungojnë edhe kundër Teutës”.

Ndeshje vendimtare-“Kemi humbur me Teutën në javën e parë dhe një humbje tjetër e kemi marrë më vonë. Kemi përballë një skuadër shumë të fortë dhe e vetmja mënyrë për të marrë tre pikët është që të jemi të gjithë bashkë në të dyja fazat e lojës, do të bëjmë të pamundurën që të marrim fitoren.

I druhem Teutës se ka lojtarë mjaft të mirë, i respektojmë, nuk i kemi frikë. E dimë se çfarë duhet të bëjmë në fushën e lojës”.  /f.a/abcnews.al