Daja: Nuk prisja 6 pikë në 2 ndeshje

schedule20:14 - 31 Gusht, 2019

schedule 20:14 - 31 Gusht, 2019

Skënderbeu ndihet krenar për dy fitoret e para në kampionat, por tregohet i kujdesshëm para duelit me Bylisin. Trajneri Ilir Daja bën analizën e skuadrës dhe të ndeshjes së radhës.

Nuk të pyet kush se kush ke qenë, por se cili je. Kjo është aksioma e jetës, dhe një njeri me përvojë jete si Ilir Daja e di shumë mirë.

Trajneri i Skënderbeut, i ulur në një stol të lavdishëm, por në drejtimin e një të dobësuar mjaft, ndihet krenar për 6 pikët e arritura në dy ndeshjet e para të kampionatit, dhe synon që kjo seri pozitive të vazhdojë.

“Nuk e kishim menduar që në dy javët e para mund të merrnim pikët e plota, por ajo që u tregua në fushën e lojës në dy ndeshjet kishte një emërues të përbashkët sepse të gjithë duke filluar nga lojtarët besuan deri në fund. Kjo do të thotë që ky ekip e ka akoma mentalitetin e fituesit”, tha Daja.

Në Korçë vjen Bylisi, një ekip i ardhur nga Kategoria e Parë, pra ndoshta jo në nivelet më të larta të Superligës.

“E njoh mirë sepse Bylisi ka një ekip që ka dy vjet bashke. Ka një mënyrë loje të konsoliduar. Edhe në këto dy javët e para ka bërë mirë në lojë pavarësisht se nuk ka marrë rezultatet. Nëse do duam të shkojmë drejt fitores me Bylisin duhet të jemi me këmbë në tokë, t’i harrojmë dy ndeshjet e para”, tha Daja.

Skënderbeu ka njëmbëdhjetë lojtarë të mirë në formacion, por ndoshta jo ndonjë stol të mirë. Drejtuesit e dinë këtë problem.

“Ekipi që fiton nuk ndryshohet, por që në bazë të kundërshtarëve dhe lojtarëve që kemi në dispozicion formacioni do të jetë ai që është prezantuar në këto dy javët e para”, tha Daja.

I goditur nga UEFA dhe KAS-i, Skënderbeu nuk do ta ndryshojë strategjinë e këtyre viteve, pra për eksportimin e lojtarëve të rinj. Daja pohon se vetëm kështu mund të sigurohen financat./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!