Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut, pas ndeshjes me Flamurtarin u shpreh kështu: “E drejtë është, pasi kemi vështirësi. Kemi punuar t’i ulnim lojtarët me këmbë në tokë. Edhe në fillim kemi bërë njëlloj, mirë me ekipet e sipërme të tabelës dhe kemi vuajtur me ekipet e tjera, sikurse sot me Flamurtarin”.
“Përqendrimi dhe motivimi nuk është i njëjti. Flamurtari duhet komplimentuar, pasi luajti hapur. Kishim shpejtësi të ulët dhe sulmet nuk ishin të befasishme. Ky ishte problemi ynë sot”.
“Pa diskutim sulmet e shpejta janë një nga armët tona më ët forta. Kemi lojtarë me nivel teknik. Kur ulet ritmi vështirësohen sulmet. Kishim menduar një tjetër manovër sot, por nuk e realizuam. Nuk ishte përqendrimi i duhur dhe kjo më shqetëson. Manovra është ajo që bën lojën në sulm dhe në mbrojtje”.
“Kur nuk ka manovër, fajin e merr trajneri. Kjo është puna ime dhe e stafit. Jemi munduar ta largojmë nga problemet skuadrën. Lojtarët duhet ta fusin në kokë se duhet të sillen si me Partizanin, ashtu edhe me Flamurtarin. Në fund klasifikimi bëhet sipas pikëve dhe fitoret vlejnë njëlloj me çdo ekip”.
“Kur mbaruam me Partizanin, u thashë të ulemi me këmbë në tokë. Këto ndeshje i kemi më shumë problem se sa me ekipet e forta”, tha Daja në deklaratën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. /abcnews.al