Satilno Basho, vëllai i Tesi Bashos, i arrestuar pak ditë më parë në Selenicë të Vlorës doli sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda ku u njoh me masën e sigurisë ndaj tij. Prokurori Anton Martini kërkoi caktimin e masës së sigurisë ndaj tij me akuzën e shtrëngim me dhunë për dhënie për dhënie pasurie, masë e cila u pranua nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Prokuroria argumentoi se në sajë të kallëzimit të bërë nga biznesmeni me iniciale S.H., se Tesi Basho i ka bërë presion atij për ti dhënë shumën prej 100 mijë eurosh lidhur me pjesën e një toke ku vëllezërit Basho kishin pjesë takuese.
Mësohet se dy vëllezërit Basho dhe biznesmeni kanë marrëdhënie familjare me njëri-tjetrin. Ndërkohë Satilno Basho i tha gjykatës se nuk ka lidhje me këtë histori.
“Nuk kam lidhje me këtë akuzë. Unë kam shumë marrëdhënie të mira me dajën. Më ka ndihmuar sa herë që kam pasur nevojë. Ai kërkoi vetë që të shkoja e ta takoja unë për të marrë lekët dhe kur e kam marr vesh që është ankuar në polici i kam thënë “pse më fut mua në këtë mesele”.
Atëherë e kam takuar edhe dajën dhe më ka thënë “nëse ti arrestohesh unë do vij të deklaroj se ti s’ke lidhje me këtë gjë”. Më pas ky konflikt pronësie u zgjidh mes familjeve tona”, tha Satilno Basho në gjykatë.
Nga ana tjetër avokati i tij mbrojtës i kërkoi gjykatës pushimin e çështjes.
“Nuk është gjobvënie. Biznesmeni ka zënë tokën e këtyre dhe ai ka paguar pronën e zënë. Paratë ia ka dhënë disa herë në shuma të ndryshme”, tha ai.
Satilno Basho u arrestua gjatë operacionit të koduar “Selenica”. Për 33-vjeçarin kishte një urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi dyshohet për veprën penale”Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Sëbashku me të vëllain, Tesilvan Basho, i konsideruar nga policia si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, dyshohet se në Janar të vitit 2017, nëpërmjet dhunës, kanë kërcënuar për dhënie pasurie rreth 100.000 euro një shtetas.
Gjithashtu, këta shtetas dyshohen edhe për kryerje të veprave të tjera penale në fushën e krimeve ndaj personit dhe të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike./abcnews.al