Daja: Marrja e pikëve na ndihmon nga ana psikologjike. Hoxha? Duhet të presi që Teqja të gabojë

schedule19:34 - 4 Dhjetor, 2021

schedule 19:34 - 4 Dhjetor, 2021

Skuadra e Partizanit ka arritur të marrë fitoren e dyte rresht dhe të tretën në këtë sezon duke u rikthyer kështu te rezultatet pozitive pas një nisje jo të mbarë nda demat.

Pas kësaj fitoreje “të kuqtë” rikthehen të luftojnë për zonën “Euro” duke kaluar kështu në renditje skuadra si Teuta dhe Dinamo.

Për “Supersport”, trajneri Ilir Daja është shprehur i lumtur për fitoren rikthimin tek rezultatet pozitive në dy javët e fundit.

“Kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë. Nga më të mirat që kemi bërë në këto javë të kampionatit. Mund ta kishim shmangur marrjen e golit në pjesën e parë dhe mund të kishim shfrytëzuar rastet që ta dërgonim ekipin në dhomat e zhveshjes në pushimin mes pjesëve me një avantazh më të thellë. Në pjesën e dytë ulëm ritmin.

Duke u nisur në një pjesë të fazës së parë që kemi bërë lojra të mira por nuk kemi marrë pikët, tani marrja e pikëve na jep pozicion më të mirë në renditje. Kjo na ndihmon në anën psikologjike. Kaçe po përmirësohet, Cara kaloi atë momentin pas dëmtimit. Mund ta shtyjmë me një minutazh më të lartë në vazhdim. Teqja, jo vetëm sot, por ka një paraqitje mjaft të mirë që kur ka mbrojtur portën me ne. Një meritë për 3 pikëshin i shkon atij.

E kam përsëritur disa herë. Po të shikoni sot shënuesit e golave ishte Cara 21-vjeç. Kemi Salioi 20 vjeç, Marku 21 vjeç. Pra kemi lojtarë shumë të rinj. Këta lojtarë e vuajnë akoma më shumë sepse nuk kanë eksperiencën e duhur. Jemi ekipi i dytë që kemi marrë më pak gola nga të gjithë. Por marrim gola që mund të jenë të evitueshëm.

Sa i përket Alban Hoxhës nuk është grumbulluar me ekipin sepse nuk është në formën e tij. Nëse Teqja vazhdon me të njëjtin nivel, duhet të presi që Teqja të gabojë. Megjithëse Albani është një nga portierët më të mirë dhe është kapiteni i ekipit. Kalendari? Po ti referohemi fazës së parë, asnjë nuk na ka marrë fitore, as Vllaznia, as Dinamo, as Kukësi. Kemi dalë barazim por kemi qenë superiorë. Çdo ekip vlerësohet njësoj nga Partizani. Do përballemi me se s’bën. Jo vetëm njëherë, por edhe tre herë të tjera. Vërtetë kemi qenë në krizë pikësh, por në lojë nuk jemi dominuar asnjëherë”, ka deklaruar Daja. /f.a/abcnews.al