Daja: Arsen Hoxhës i bëj gati videon, ju tregoj si mundet Vllaznia

schedule20:49 - 10 Korrik, 2020

schedule 20:49 - 10 Korrik, 2020

Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut, ka dalë para medieve dhe ka folur në prag të ndeshjes me Vllazninë. Tekniku i korçarëve është munduar të fokusohet vetëm te ndeshja, edhe pse u kujtojnë një deklaratë të Arsen Hoxhës, i cili në “Panorama Sport” kritikonte Dajën për deklaratat që bëri ndaj Laver Allës pas ndeshjes që Skënderbeu e humbi me Teutën.

“Duhet të fokusohemi te ndeshja me Vllazninë. Arsen Hoxha të presë edhe disa ditë, se mund t’i dërgoj ndonjë video për ta analizuar më mirë ndeshjen. Kishte bërë një analizë ku nuk merrej me veprimet e gjyqtarëve”, tha fillimisht Daja, i cili më pas u fokusua te shkodranët.

“Gjithsesi të merremi me Vllazninë, që nuk e shohim nga klasifikimi. Ka fituar në Korçë, siç kemi fituar edhe ne në Shkodër. Kanë në grup lojtarë me eksperiencë në Superiore. Do e mendojmë si ndeshje kundër Vllaznisë, një ekipi që luan futboll të bukur dhe që duhet ta kesh kujdes. Kemi një shans të rikthehemi pas rezultateve jo të mira. Duke qenë të kujdesshëm, shpresojmë të shkojmë te fitorja. Normalisht duke qëndruar me këmbë në tokë dhe duke e vlerësuar Vllazninë”.

SITUATA NË EKIP – “Ka rikthimi në ekip, por nuk janë në gjendje optimale. Taipi nuk është për shkak kartonësh. Në ndeshjet në vazhdim nuk do kemi krahun e djathtë. Do mundohemi që këtë çift ta zëvendësojmë sa më mirë të jetë e mundur”.

MËNYRA E LOJËS – “Ne kemi mënyrën tonë të lojës dhe duhet t’ia imponojmë Vllaznisë. Siç dihet, ata kanë potencial dhe nëse i lë të shfaqen, atëherë do ta kemi të vështirë. Duhet t’u imponojmë lojën tonë, në mënyrë që të marrim maksimumin tonë”.

DITA TE SHKËNDIJA? – “Nuk dua të shpërndahem, është kohë merkatoje. Do ketë lajme të tilla për shumë lojtarë. Nuk mund të jem ai që mund të japë një përgjigje. Nesër, Dita dhe çdo lojtar tjetër do të fokusohet te ndeshja”, përfundon Daja. / abcnews.al