Cungu: Tirana është bërë orteg prej javësh, meritonim të paktën një pikë

schedule19:23 - 8 Mars, 2020

schedule 19:23 - 8 Mars, 2020

Trajneri i Laçit, Armando Cungu, foli për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas humbjes 1-0 ndaj Tiranës. Në fjalën e tij, Cungu pranoi se skuadra kurbinase meritonte të paktën një pikë, si dhe shpjegoi zgjedhjet e tij taktike.

TIRANA – “Normalisht, patjetër që edhe fitoret e njëpasnjëshme të Tiranës rrisin aspektin psikologjik. Është dhe një shprehje që përdorim ne në Shkodër: Kur bëhesh orteg, nuk ndalesh. Tirana është bërë orteg prej disa javësh dhe meriton respekt për paraqitjet e tyre. Neve na vjen keq, pasi ekipi luajti futboll shumë të mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë, balancat ishin të njëjta. Goditëm dhe shtyllën, por fati nuk ishte me ne, që është i rëndësishëm në futboll. Sot fati nuk ishte me ne”.

KALENDARI – “Unë nuk kthej kokën për të parë aplikacionin e Federatës si i ndan ndeshjet, unë do të shoh vetëm ndeshjet tona dhe do i marrim me radhë. Ishte një javë pozitive për ne, pasi dhe kundërshtarët që kishim lart, nuk janë larg”.

GRUPI – “Grupi ka cilësi, ka individë të talentuar. Po mundohemi edhe të promovojmë lojtarë të rinj herë pas here. Deri në këto momente, jam shumë i kënaqur me paraqitjet që kanë bërë djemtë. Kampionati është i tillë, nuk është e lehtë të luash kundër Tiranës, por e thashë që ishim të pafat dhe për mendimin tim, e meritonim një pikë sot”.

ZGJEDHJET – “U kërkonte një ndeshje me ritëm nga ana jonë, për shkak dhe të forcës së kundërshtarit. Edhe terreni ka problemet e veta, ka rënë dhe shi këto ditë. Na duheshin lojtarë që vraponin, me forcë fizike, kjo ishte arsyeja pse iu besova lojtarëve të caktuar. Lojtari që luante në vendin e Nëabueze, menduam ta aktivizonim si “9 fals”. Kjo është e përgjithshmja që mund të them për ekipin. Në momentet të caktuara, mund të ishim pak më të qartë dhe të konkretizonim”.

GRECA – “Nëse do e aktivizoja në majë të sulmit, do të na detyronte të kryenim zëvendësim. Një lojtarë me eksperiencë si Greca, dua ta kem në lojë 90 minuta. Menduam të aktivizonim lojtarin e ri si “9 fals”, që të bllokonte Bathën”, përfundoi Cungu./abcnews.al