Armando Cungu, trajneri i Laçit, foli pas barazimi 0-0 kundër Vllaznisë për Supersport, aty ku pranoi se kjo sfidë, ishte me dy pjesë të ndryshme. Sipas Cungut, pjesën e parë e dominuan të tijtë, ndërsa në të dytën, Vllaznia fitoi terren.
DOMINIMI – “Kuptoj, pjesërisht jam dakord, por nëse e shohim si minutazh, ishim më dominues se Vllaznia, sidomos në pjesën e parë. Kishim 3-4 raste dhe me pak kujdes, mund të kishim shënuar. Në pjesën e dytë, fillimi nuk ishte i keq, por në momentin kur Vllaznia pretendoi për penallti, ekipi im u tkurr dhe për 25 minuta, vendosëm gjithçka në rrezik, edhe rezultatin e ndeshjes. Ashtu siç shkoi ndeshja, barazimi ishte i drejtë”.
VLLAZNIA – “Ishte ndeshje jashtë fushe, e dija se si do të luante Vllaznia. Edhe sot në analizën e ndeshjes, i kam treguar lojtarëve të mi si luan Vllaznia. Mbrohet me shumë forca dhe kërkon të përfitojë nga gabimet në mesfushë. Përdorin kundërsulmet e shpejta me futbollistë si Shtubina dhe Lika. Ne duhet të ishim në ekuilibër. Gjithsesi, nuk mund të pretendojmë se një ndeshje jashtë fushe, të jemi dominues. Ishte një ndeshje me dy tablo, në përgjithësi ishte një pikë që na vlejti”.
TERRENI – “Ditët e fundit, kanë qenë ditë të bukura dhe jemi stërvitur në fushë me bar në Laç. Sot, terreni ishte shumë i rrëshqitshëm për shkak të shiut. Normalisht, duhet të përshtateshim. Kishte disa momente problematike për shkak të terrenit, sidomos në zona të ngushta. Ne u munduam më pas të ishim të thjeshtë dhe të luanim me 1-2 takime.
NWABUEZE – “Jam shumë i kënaqur me të, edhe në sot edhe në ndeshjen kundër Durrësit. Nuk duhet të harrojmë se Nwabueze është në epiqendrën e çdo kundërshtari. Të gjithë po e ruajnë dhe në çdo kontakt, ka dy lojtarë pas shpine. Këtë gjë, duhet ta shfrytëzojmë me lojtarët tjerë. Nuk më shqetëson aspak, pasi çdo futbollist ka ditë “jo”.
GRECA – “Greca luajti mirë në Durrës dhe sot vendosa ta fus titullar sërish, nuk mund ta ulja në stol. Xhixha u ul në stol, por secili do të ketë minutat e veta. Jam shumë i lumtur që i kam këto dy lojtarë dhe nuk ka lidhje me shitjen e lojtarëve”.
VERTIKALIZIMET – “Në pjesën e parë, ishim dominantë dhe kërkuam të vertikalizonim, si me Grecën, ashtu dhe me Nwabuezen. Pasimi i fundit nuk ishte i duhur. Pjesa e dytë, nëse flasim për ekuilibër të Vllaznisë, ia dhamë ne, pasi u tkurrëm disi. Greca ishte në formë të mirë, ka eksperiencë. Teco bëri ndeshje të mirë në Durrës, e aktivizova sërish. Nuk kishim probleme në krahun e djathtë, edhe Fangaj bëri ndeshje të mirë.
NDRYSHIMET – “Nuk jam trajner që bëj shumë lëvizje, duhet të kemi një fytyrë dhe atë ta kemi siç duhet. Siç erdhi loja, duhet të mendoja edhe për një pikë, pasi kundërshtari avancoi disi dhe vendosëm në diskutim edhe rezultatin e ndeshjes”./abcnews.al