Cungu: Për të ardhur keq si pësojmë, Nwabueze nuk e ka të lehtë të shënojë

schedule16:24 / 16/02/2020

Trajneri i Laçit, Armando Cungu, foli për Supersport pas humbjes 1-3 kundër Partizanit. Numri një i stolit kurbinas nuk e fshehu zhgënjimin për këtë humbje, si dhe fajësoi kalendarin e mbingarkuar dhe problemet e lojtarëve me virozat gripale.

“U bënë tri ndeshje resht brenda një jave, me Kukësin në Kupë, edhe e sotmja, e njëjta histori. Ekipi luan mirë, shënon, por çuditërisht, kalojnë dy minuta dhe e pësojmë. Partizani tre herë e goditi topin në portë dhe shënuan. Është e pafalshme për ne që të lejojmë kundërshtarin ta godasë portën tonë në këtë mënyrë.

Normale që lodhja është shumë e madhe, ende nuk është bërë një muaj që nga rifillimi i kampionatit dhe janë bërë 5 ndeshje rresht. Është e pamundur për lojtarët ta përballojnë, është shumë e vështirë, ose më saktë, keqardhja është jo e vogël sa i përket mënyrës si i pësojmë golat.

Më tepër i krijojmë vetes problematika, se kundërshtarit. Duhet të merrte fund sa më shpejt të jetë e mundur kjo situatë, por fatkeqësisht tre ndeshjet e fundit, nuk ia kemi dalë.

Lojtari kërkon të zhbllokohet, të vazhdojë të shënojë. Por ka momente kur duket sikur të hapet porta, por ka dhe ndeshje që nuk ia del të shënosh. Duhet të jetë i qetë, pasi çdo lojtar ka ulje-ngritje. Nwabueze nuk do e ketë më të lehtë të shënojë, pasi është në fokusin e çdo trajneri e lojtari kundërshtar.

Faza sulmuese e ekipit tim funskionon, shënojmë në çdo ndeshje gola, ndoshta sot nuk ishim të përsosur, por gjithsesi shënuam mirë. Edhe me Kukësin, kishim shumë raste të shënonim. Ekipi në fazën sulmuese po luan mirë, ne po vuajmë vetëm në fazën mbrojtëse. Po dënojmë veten.

Fakti që nuk po arrijmë të gjejmë lojtarë për të shërbyer në fazën defensive, do të thotë se problematikat vazhdojnë. Ekipi bëhet në verë, janari nuk na ndihmon me alternativa. Na mungoi Deliu, që ishte i dënuar për kartonë, në stol kishim vetëm lojtarë të rinj. Unë që kur kam ardhur këtu, kam kërkuar të jemi me këmbë në tokë. Kemi marrë dhe fitore me rezultate tenistike, por kërkoj që të jetë ekipi me këmbë në tokë. Problem është edhe virusi, sapo vjen në ekip, e vuajnë edhe dy-tre të tjerë”, tha Cungu./abcnews.al

schedule16:24 / 16/02/2020