Armando Cungu, trajneri i Laçit, pas ndeshjes me Skënderbeun, ka analizuar lojën e skuadrës së tij në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Skuadra kurbinase mori fitoren e tretë radhazi dhe ka shënuar 4 gola, këtë herë në transfertë.
NDESHJA – “E drejtë, mendoj se djemtë bënë një ndeshje shumë të mirë. Ishte skuadër agresive, i bëmë presion kundërshtarit. Gjithçka shkoi mirë në fushë. Djemtë thonë që ndihen mirë me mua në stol dhe më vjen mirë të dëgjoj gjëra të tilla”.
NWABUEZE – “Nwabueze është një futbollist me shumë vlera, ka shënuar 7 gola që kur kam ardhur unë këtu. Kjo gjë flet vetë. Po fut në punë dhe lojtarët e krahëve, nuk është egoist. E rëndësishme është që jo vetëm Nwabueze, por i gjithë ekipi po funksionon”.
SULMUESIT MË TË MIRË – “Mund të them dy emra: James kur isha te Laçi, ndërsa Nwabueze është një sulmues tipik. Jo vetëm që është shumë i fuqishëm, por mban dhe ekipin përpara. Po rezulton i suksesshëm dhe për momentin, ai është në vend të parë”.
TITULLI – “Objektivi i Laçit është që të futet në fushë dhe të marrë maksimumin. Djemtë kanë bërë shumë mirë këto javë dhe morali e besimi janë rritur tek ekipi. Tashmë, nuk ka më justifikime sa i përket aspektit psikologjik. Jemi në nivele maksimale dhe këtë gjë e kanë treguar vetë. Tani të mbajmë këtë ritëm. Nuk më pëlqen të flas për objektiva të mëdha. Mund të them vetëm për objektiva momental, po mendoj vetëm për Kukësin”, përfundoi Cungu./abcnews.al