Cungu: Nuk harxhuam energji, Luftëtari jo si Flamurtari. Komplimente Markut

schedule20:03 - 11 Korrik, 2020

schedule 20:03 - 11 Korrik, 2020

Laçi nuk gaboi përballë Luftëtarit, shënoi tre herë dhe siguroi tre pikët e radhës, duke u ngjitur përkohësisht në vend të tretë. Trajneri i bardhezinjve, Armando Cungu foli pas ndeshjes në Supersport, duke analizuar triumfin përballë bluzinjve dhe duke u ndalur te lojtarët e rinj, të shumtë në ekipin kurbinas.

Ndeshje të tilla janë të rrezikshme për objektivat e klubit. Sot Luftëtari nuk ishte në lartësinë e Flamurtarit. I dhamë mundësi disa djemve të ri, jam i kënaqur me trepikëshin. Nuk tentuam të harxhonim energji, por shpërdoruam shumë.

Janë djem që premtojnë, kanë cilësi të mira, Laçi u jep mundësi herë pas here. Duhet të punojnë shumë, që të marrin përgjegjësi në realizimin e objektivave. Jam i kënaqur me Endrit Markun (debutoi sot), ishte korrekt dhe zhvilloi një ndeshje të mirë.

Jam munduar gjithmonë të shohim punën dhe rezultatet tona. Kishim detyrë shtëpie sot fitoren, e arritëm. Ndeshja e radhës nuk është e lehtë, Bylisi ka bërë një kampionat shumë të mirë. Do e shoh me kënaqësi duelin Kukësi-Teuta.

Europa League? Është e vështirë të bësh llogari, dëshira ime është të marr nëntë pikë në tre ndeshjet e radhës. Duhet të jemi shumë të përqendruar, nga unë deri te sportisti i fundit.

Lojtarët e rinj? Unë nuk duhet të ngutëm se kush nga lojtarët e rinj është në “pole”. Janë djem të rinj që premtojnë, kanë bërë ndeshje të mira por edhe gabime. Rëndësi ka që të përmirësohemi nga gabimet. Janë djem korrekt, stërviten mirë dhe premtojnë për t’u bërë titullarë.

Prenga në rolin e qendërsulmuesit? E kam provuar, e kemi futur disa herë në këtë rol. Është një lojtar që luan në dy krahët e fundit, e bën edhe qendrën, por edhe Prenga duhet të rritet e të përmirësohet”, përfundon Cungu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!