Armando Cungu ka sqaruar situatën e pazakontë që po kalon në emisionin “Fan Zone” në Supersport. Trajneri i Laçit prek shumë tema, që nga gjendja e vështirë e shkaktuar nga koronavirusi, ngushëllimet për njerëzit që kanë humbur jetën në Shqipëri dhe Itali, e deri te lojtarët dhe porositë që jepen për ta.
SITUATA – “Janë të dyja medaljet, që po qëndrojmë me familjen, por është situatë e vështirë. Për të gjithë shqiptarët dhe mbarë botën është një mënyrë jetese tjetër, për më tepër për ne që jemi gjithmonë në lëvizje. Jemi të detyruar të zbatojmë detyrimet e vendosura. U shpreh ngushëllimet familjarëve të dy viktimave nga ky virus i tmerrshëm dhe shpresoj të shërohen të gjithë. Solidarizohem edhe me Italisë, që janë si një atdhe i dytë për ne, pasi na kanë hapur dyert në momente të vështira. Ndaj është normale të jemi krah tyre në një situatë të tillë”.
LOJTARËT – “Jo vetëm te ne, por kudo situata është e njëjtë. Të gjithë janë shpërndarë nëpër shtëpi, u kemi dhënë program ditë pas dite, në mënyrë individuale, për të ruajtur sadopak nivelin fizik. Është moment i vështirë për sportistët dhe trajnerët. Mundohemi çdo ditë t’u japim porosi dhe duke besuar në profesionalizmin e tyre se do të zbatojnë programin që u japim”.
PUNA – “Vazhdojmë japim mësim online, edhe ne të edukimit fizik. Të jem i sinqertë, kontingjenti i fëmijëve në shkollë janë me probleme ekonomike dhe nuk e kanë mundësinë t’i ndjekin. Kjo për shkak të mungesës së internetit. Ne bëjmë detyrën tonë, sipas këshillave që na jepen”.
STËRVITJA – “Ka edhe një pjesë sportistësh që kanë shtëpi private dhe mund të punojnë në oborre. Kjo i ndihmon të ruajnë formën fizike. Sigurisht nuk pretendojmë të jëne të stërvitur sikurse ndodh zakonisht. Ata punojnë me mundësinë që kanë. Mbetet në dorë të tyre zbatimi i programeve me detaje”. /abcnews.al