Pak ditë pas shpalljes zyrtare së rezultateve, përfaqësuesit e Listës e Studentëve, e cila ka dalë fituese në zgjedhjet e fundit në Serbi, kanë vizituar Manastirin e Graçanicës, Manastirin e Deçanit dhe disa objekte fetare në Prizren.
Në Graçanicë, delegacioni është pritur nga mitropoliti i Rashkës dhe Prizrenit, i cili ka folur për “vështirësitë” me të cilat, sipas tij, përballen serbët në Kosovë.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se vizita e Listës së Studentëve në Kosovë ngjall shpresë se “shqetësimet e përditshme” të komunitetit serb do të dëgjohen dhe do të trajtohen.
Pas takimit me mitropolitin Teodosije në Graçanicë, përfaqësuesit e Listës së Studentëve vazhduan Manastirin e Deçanit, ku morën pjesë edhe në liturgjinë fetare, përfshirë Kungimin e Shenjtë dhe nderimin e Shën Stefanit të Deçanit.
Sipas njoftimit të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, përfaqësuesit e Listës së Studentëve janë shprehur të gatshëm që kujdesin për serbët, mbrojtjen e objekteve fetare dhe të drejtat e Kishës Ortodokse Serbe t’i vendosin ndër prioritetet e qeverisë.
Asgjë nuk ndryshon nga politikat zyrtare të Beogradit ndaj Prishtinës, megjithatë duket se tashmë ka ndryshuar qëndrimi i fituesve përballë Listës Serbe që përfaqson pakicën në Kuvendin e Kosovës me 9 deputetë.
Lista Studentore ka deklaruar se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës serbe.
Ajo kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
Më 7 nëntor 2026, Jugosllav Gashiq, kandidat i Listës Studentore, deklaroi se nuk do të bashkëpunojnë me Listën Serbe. Ai argumentoi se kjo parti ka përgjegjësi për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen serbët e Kosovës.
Megjithatë, premtoi se Serbia do të vazhdojë mbështetjen financiare për serbët në Kosovë, përfshirë pagat dhe ndihmat sociale.


