COVID prek 2 qytete të gjelbra, 3 raste pozitive në Pogradec, 1 i infektuar në Përmet

schedule15:30 - 20 Qershor, 2020

schedule 15:30 - 20 Qershor, 2020

Koronavirusi përhapet dhe në dy qytete që deri më sot konsideroheshin të gjelbra. Covid prek për herë të parë Pogradecin.

Të infektuara rezultojnë tre punonjëse të konsultores së foshnjave. Burime të “ABC News” tregojnë se një infermiere pak ditë më parë ka takuar vajzën e saj që jeton në Tiranë dhe dyshohet se ajo mund të ketë qenë burimi i infektimit.

Të tria punonjëset një ditë më parë shfaqën temperaturë të lehtë, pasi ju morën tamponë, përgjigjet dolën pozitive. Aktualisht janë karantinuar në banesat e tyre së bashku me familjarët.

Një tjetër qytet i paprekur ishte dhe Përmeti. Po këtë të shtunë u shënua dhe rasti i parë me COVID. Ai është një 60 vjeçar, i cili para 4 ditësh ka marrë pjesë në një festë në fshatin Frashër.

Aty ka qenë dhe një punonjës policie nga Përmeti që punon në Elbasan. Ky i fundit dyshohet se mund ta ketë infektuar.

Në Shkodër këtë të shtunë u raportuan 6 raste të reja me koronavirus. Në total në Shkodër ka shkuar në 222 numri i të infektuarve me Covid 19.

Gjatë ditës së sotme i infektuar ka rezultuar edhe një pacient në spitalit rajonal të Shkodrës. Po kështu dhe një punonjëse të Gjykatë së Apelit. 4 raste të tjera janë persona kontakti të prekurve të mëparshëm.

Edhe në Qarkun e Fierit janë konfirmuar sërish 3 persona me COVID. Ata janë nga Patosi, mes tyre dhe një fëmijë.

Të tre janë të afërm të një zonje që ka qenë e shtruar në spital në Tiranë dhe dyshohet se ajo i ka infektuar.

Për momentin gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe janë karantinuar në banesë.

Fshati Peshtan gjithashtu është ndër vatrat më të reja në Fier.

Vatra e infeksionit me koronavirus në fshatin Peshtan po zgjerohet me ritme të shpejta. Megjithatë kjo nuk i ka penguar banorët të kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme duke mos ruajtur distancimin social.

7 është numri i të konfirmuarve brenda 3 ditëve të gjithë pjesë e kontakteve të gruas së moshuar.

Kujtojmë këtu që e moshuara më herët ka qenë e shtruar në QSUT në Tiranë ku dhe dyshohet se ka marrë virusin. Siç duket nga pamjet në këtë fshat pak njerëz lëvizin nëpër rrugë, disa thonë se kanë frikë të tjerë nuk duan t’ja dinë fare.

“Situata është e frikshme”, është shprehur një qytetare.

Kurse brenda nëpër automjete njerëzit janë totalisht të shpenguar. Të shumë të numër dhe pa maska mbrojtëse.

Raste të reja me koronavirus janë regjistruar dhe në Vlorë. Të katërt janë familjarë të prekurve të mëparshme.

Kurse në Krujë të infektuarit me COVID janë shtuar me 5 të rinj. Ata sipas burimeve të “ABC News” janë të afërm të konfirmuarve të disa ditëve më parë.

Ndërkaq edhe në Durrës është shënuar një rast i ri, por dhe ai person kontakti i të infektuarve të mëparshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!