Shkencëtarët më të mirë të Britanisë kanë propozuar një bllokim kombëtar dy-javor në tetor për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit. Një bllokim i dytë do të përkojë me gjysmën e muajit tetor duke mos rrezikuar mësimin në shkolla, sipas propozimit të ekspertëve të Grupit Këshillimor Shkencor të Qeverisë për Emergjencat (SAGE), raporton SkyNews.
Duke folur rreth raportit, sekretari i shëndetit Jonathan Ashworth tha: “Laburistët paralajmëruan muaj më parë se nëse qeveria nuk arrin të mbajë nën kontroll koronavirusin gjatë verës atëherë do të përballemi me një dimër të zymtë.
Qeveria e injoroi këtë këshillë, madje as testimi nuk ishte në normat e duhura dhe nuk është për t’u habitur që kufizimet kombëtare mund të rivendosen përsëri.
“Paaftësia e Konservatorëve po e pengon Britaninë dhe po dëmton përpjekjen kombëtare për të ndaluar përhapjen e këtij virusi.”
Rastet janë dyfishuar gjatë 8 ditëve të fundit në Angli, sipas një studimi nga Imperial College London dhe Ipsos Mori. Qeveria ka hedhur poshtë sugjerimet e një bllokimi të dytë kombëtar. Boris Johnson ka thënë se do të ishte “katastrofik” për ekonominë por ai mund të jetë nën presion nga shkencëtarët, transmeton abcnews.al
Një ish-drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) pohoi të mërkurën se zyrtari kryesor mjekësor i Anglisë, Profesor Chris Whitty po rekomandonte një bllokim kombëtar dy-javor.
Edward Argar, një ministër në Departamentin e Shëndetit dhe Kujdesit Social, tha për Sky News “Ne jemi të udhëhequr nga shkenca, por nuk drejtohemi domosdoshmërish nga spekulimet në shtyp.
“Nuk është diçka që kam dëgjuar nga Chris. Dhe është diçka që kryeministri nuk e dëshiron.”
Vetë Kryeministri hodhi poshtë mundësinë e një bllokimi të dytë kombëtar, duke u thënë deputetëve të mërkurën: “Ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për ta parandaluar diçka të tillë, transmeton abcnews.al
“A mund ta lejojmë një bllokim të dytë? Unë besoj se pasojat ekonomike do të ishin katastrofike.”
Britania ndërkohë ka futur në fuqi disa kufizime të reja këtë javë duke ndaluar njerëzit të takohen në grupe me më shumë se gjashtë persona. Ndërkohë u është kërkuar spitaleve të përgatiten një fluks të mundshëm të shtrimeve. s.ba/abcnews.al