Covid-19, Psikologia Treska: Janë shtuar rastet e dhunës në familje, nënat shqiptare të stresuara

schedule13:50 - 21 Prill, 2020

schedule 13:50 - 21 Prill, 2020

Paniku social nga pandemia ka pushtuar edhe Shqipërinë. Për të folur në lidhje me këtë gazetarja Juli Xhokaxhi zhvilloi një bisedë në ABC News me Presidenten e Urdhrit të Psikologëve Valbona Treska.

Treska tha se ditët e fundit në Shqipëri janë rritur rastet e dhunës në familje dhe është shtuar frika për ekonominë dhe pasiguria për të nesërmen ndërkohë që është zbehur frika nga infektimi me virusin.

Sipas Treskës mosha e cila ka shprehur gjendje më të rënduar psikologjike më tepër në shoqërinë shqiptare, janë femrat e moshës 30-40 vjeç, të cilat janë nëna.

Sipas psikologes kjo ka ndodhur pasi situata e karantinës për këtë kategori ka rënduar dhe mbingarkuar nënat më fëmijë të cilat duhet të përballojnë 2 fish më shumë punë në krahasim me situatën më parë.

Pjesë nga biseda:

Juli Xhokaxhi: Për shkak të situatës është bërë një studim i cili ka ardhur në përfundimin se pas pandemisë do të kemi një recesion njerëzor. Një pjesë e madhe e botës është duke jetuar brenda 4 mureve të shtëpisë. A rrezikojmë seriozisht një recesion fizik dhe psikologjik në aspektin shëndetësor?

Valbona Treska: Në fakt e kemi thënë më herët që do kishte një impakt të jashtëzakonshëm psikologjik gjithë kjo situatë. Nga psikologët është vënë re një lodhje psikologjike e popullatës në tërësi. Ka një fokus më të madh në pjesën ekonomike këtë periudhë. Kemi një zbutje të frikës ndaj infektimit me Covid dhe kemi një rritje të pasigurisë financiare dhe pasigurisë për të nesërmen. Është një impakt që e kishim pritur prej kohësh, Shqipëria padyshim nuk përbën përjashtim nga të gjithë rastet e tjera në lidhje me lodhjen psikologjike ashtu si po ndodh edhe në vendet e tjera të Europës.

Juli Xhokaxhi: Sa e lehtë është që njerëzit të përshtaten me rregullat e reja?

Valbona Treska: Nëse ditët e para gjithmonë ka entuziazëm se kjo situatë mund të përfundojë shpejt. Ka një rritje të aktiviteteve të hapura, kjo i mban njerëzit të angazhuar dhe është një gjë e mirë.

Nuk kemi të dhëna të sakta për gjendjen psikologjike për ata persona që jetojnë vetëm se si e kanë përballuar situatën.

Juli Xhokaxhi: Personat që jetojnë në familje duket se kanë problematika shumë të mëdha. Edhe në ditët e fundit kemi raportuar për raste të dhunës në familje. Si ndikon situata?

Valbona Treska: Ka qenë një kurbë që pritej të kishte tendencë rritje. Pritet që problematikat në familje të vinin e të shtoheshin. Në momentin që e gjithë familja jeton në një hapësirë të kufizuar dhe nuk ka hapësirë për të bërë të gjithë gjërat që kanë bërë më parë, punët e përditshme, kjo e rrit mundësinë e riskut për tu konfliktuar me njëri tjetrin. Gjatë kësaj kohe është vënë re një gjendje më e rënduar psikologjike e femrave 30-40 vjeç. Ato janë zakonisht nëna me fëmijë, të cilat kanë mbajtur gjatë kësaj periudhe ngarkesa dyfish apo trefish më shumë sepse u është dashur të menaxhojnë banesën, për fëmijët, për mësimet online, etj.

Juli Xhokaxhi: A do të kemi shumë divorce nga kjo situatë?

Valbona Treska: Duhet theksuar fakti se nuk sjell Covidi divorce sepse në rastet e tilla problemet kanë ekzistuar më herët. Covidi thjesht i ka nxjerr në pah por jo se është shkaktar./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!