Nga Alice Tidey, euronews
Pavarësisht fushatës së vaksinimit apo masave të shumta, nuk ka gjasa që Covid-19 të zhduket. Njësoj si gripi, Covid-19 mund të bëhet një tjetër sëmundje e kontrollueshme, sipas një eksperti.
Profesori Roland Kao, kryetar i epidemiologjisë veterinare dhe shkencës në Universitetin e Edinburgut, tha për Euronews se ekziston mundësia që bota të mos shpëtojë nga COVID-19 dhe që do të na duhet të jetojmë me të.
“Në të njëjtën mënyrë si pandemia e gripit që ndodhi mbi 100 vite më parë, e cila kishte tre valë infeksionesh gjatë çdo dimri dhe më pas ishte më e butë, e njëjta gjë mund të ndodhë dhe me Covud-19,” shtoi ai, duke theksuar se nuk jemi të sigurt se çfarë do të na sjellë viti i ardhshëm “.
Më shumë se 3.7 milion njerëz kanë humbur jetën nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë dhe 174.4 milion persona janë infektuar, raporton abcnews.al
Përhapja e varianteve
Shumica e botës perëndimore i është dashur të luftojë me tre valë të sëmundjes, të nxitura nga shfaqja e varianteve. Në Britani, kufizimet e COVID-19 – të vendosura për herë të parë në janar për të frenuar përhapjen e variantit Alpha (Britanik) – supozohej të hiqeshin në 21 Qershor por qeveria tashmë ka shtyrë afatin.
Mbretëria e Bashkuar ka një nga normat më të larta të vaksinimit në botë me më shumë se 77% të popullsisë që kanë marrë të paktën një dozë, dhe më shumë se 54% e popullsisë është vaksinuar plotësisht, sipas të dhënave zyrtare.
Megjithatë, gjatë javës së kaluar, u regjistruan më shumë se 44,000 raste të reja, një rritje prej 63% në krahasim me një javë më përpara. Duhet të rritet shkalla e vaksinimit në Europë këtë verë, tha OBSH-ja në një deklaratë.
Përhapja e rasteve i atribuohet variantit Delta – i njohur më parë si varianti indian – i cili është 60% më i transmetueshëm se sa lloji origjinal i virusit. Sipas Institutit të Shëndetit Publik Angli, 94% e rasteve aktuale në Mbretërinë e Bashkuar janë varianti Delta.
“Pas rritjes të rasteve kryesisht për shkak të variantit Delta në të gjithë vendin, vaksinimi është mbrojtja jonë më e mirë,” tha Dr Jenny Harries, Shefja Ekzekutive e Agjencisë Shëndetësore të MB, në një deklaratë.
“Megjithatë, ndërsa vaksinimi zvogëlon rrezikun e sëmundjes së rëndë, ajo nuk e eliminon atë,” shtoi ajo.
Vaksinimi
Vaksinat janë efektive në parandalimin e sëmundjes së rëndë. Gjithashtu ato ofrojnë një mbrojtje kundër infektimit dhe mbrojtje të pjesshme kundër transmetimit. Një valë e katërt nuk është e pamundur. Në Mbretërinë e Bashkuar, numri i rasteve të konfirmuara është rritur 63% nga java në javë, por shtrimet në spital deri më tani janë rritur me pak më shumë se 7%. Numri i vdekjeve është rritur me më pak se 2%.
“Mund të ketë shumë raste, por numri i vdekjeve mund të jetë më i ulët dhe numri i shtrimeve në kujdesin intensiv mund të jetë gjithashtu më i ulët. Nëse është kështu, ne mund të kemi një valë të madhe por pa mbingarkuar sistemin e kujdesit shëndetësor dhe pa shkaktuar më shumë viktima, “shtoi ai.
Kërcënimi fantazmë
Me përhapjen e varianteve dhe shpërndarjen e pabarabartë globale të vaksinave, ekziston gjithmonë rreziku që të shfaqen më shumë variante që janë më rezistente ndaj trajtimeve. Pak më shumë se gjashtë muaj pasi zhvillimit të vaksinave për herë të parë, rreth 12.3% e popullsisë globale ka marrë të paktën një dozë, sipas Our World In Data, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë në kombet e pasura, raporton abcnews.al
Popullsia globale nuk pritet të vaksinohet të paktën deri në fund të vitit 2022. Por një gjë pozitive, theksoi Kao, “është që ne kemi padyshim shumë vaksina që janë efektive kundër virusit. Prodhuesit e vaksinave po përpiqen për zhvillimin e vaksinave të reja ose përforcuese për t’i luftuar ato.
Sidoqoftë, zhdukja e plotë e sëmundjes nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Që virusi të zhduket duhet të vaksinohet e gjithë bota, në mënyrë që mos të krijohet mundësia për krijimin e varianteve të reja.
Kjo sigurisht do të kërkojë një nivel të caktuar të koordinimit në të gjithë botën që nuk e kemi aktualisht sepse virusi do të vazhdojë të pësojë mutacion gjithmonë. Por pavarësisht mbajtjes në kontroll të virusit, disa masa do të qëndrojnë ende në fuqi, përfshirë detyrimin për të mbajtur maska në ambiente të caktuara.
Sigurisht që udhëtimet ndërkombëtare janë një mënyrë për përhapjen e Covid nëpër botë. Pra, më shumë kufizime ose kërkesa si karantina ose testimi pas mbërritjes, gjithashtu do të vazhdojnë të mbeten në fuqi./abcnews.al