COVID-19/ Ministri i Shëndetësisë në Kosovë: Po shqyrtohet mbyllja e kufijve dhe kufizimi i lëvizjes

schedule20:36 - 26 Tetor, 2020

schedule 20:36 - 26 Tetor, 2020

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka filluar të shqyrtojë masa të reja për parandalimin e përhapjes më të madhe të koronavirusit në vend.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se mbyllja e kufijve dhe kufizimi i lëvizjes në zonat më të prekura me COVID-19 janë dy nga masat të cilat janë duke u shqyrtuar.

Por, megjithatë gjithçka varet nga vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend.

“Masat si mbyllja e kufijve, kthimi i personelit shëndetësor në pikat kufitare, kufizimet në numrin e pjesëmarrësve në takime të ndryshme, kufizime të lëvizjeve në zonat më të prekura dhe disa të tjera  janë masat e radhës, në shqyrtim, varësisht nga vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend”, mësohet të ketë thënë Zemaj për mediat në Kosovë.

Zemaj deklaroi se mbyllja e gjithë  vendit mbetet opsioni i fundit.

“Shteti dhe qytetarët nuk e meritojnë të kthehemi aty ku ishim para 6 muajve, për arsye të neglizhencës së pakicës. Ajo çfarë pritet dhe patjetër duhet të ndodh është që organet e rendit dhe zbatuesit e ligjit të jenë rigorozë sa i përket implementimit të ligjit dhe vendimeve të Qeverisë dhe menaxhimin e Pandemisë. Menjëherë do të ndërmarrim masa kufizuese në çdo situatë, ku konstatojmë raste të rritjes së rasteve, që duket se po ndodh”, tha ministri.

Ai u tha se paralelisht me masat e reja, do ta vazhdojë zbatimi i masave në fuqi.

“Policia e Kosovës, inspektoratet përgjegjëse por edhe vet komuniteti duhet t’i zbatojnë pa mëdyshje, për të mos lejuar që të përballemi më një situatë kritike e cila vendos në pozitë të vështirë sistemin shëndetësor dhe profesionistët, mbingarkon kapacitetet dhe krijon telashe edhe në aspektin ekonomik dhe social për shtetin dhe shoqërinë tonë”, tha Zemaj.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!