Cordeiro: I lumtur që shënova sërish, Vllaznia ekip i vështirë

schedule20:18 - 21 Tetor, 2019

schedule 20:18 - 21 Tetor, 2019

William Cordeiro bëri një ndeshje shumë të mirë kundër Vllaznisë në fundjavë, sfidë që Partizani e fitoi në sekondat e fundit 1-3. Anësori brazilian shënoi golin e parë të sfidës në minutën e 14-të, duke i dhënë avantazhin “Demave të Kuq”. Çinari goditi nga distanca me të majtën dhe topi i kthyer nga Sherri, përfundoi në këmbët e Cordeiro, që nuk e kishte të vështirë të shënonte.

Për këtë ndeshje dhe paraqitjen e tij individuale, anësori i Partizanit ka folur për mediet braziliane, ku u shpreh: “Ndeshja kundër Vllaznisë ishte shumë e vështirë. Rezultati ishte i barabartë deri në sekondat e fundit, por ia dolëm të fitonim. Jam i lumtur që shënova sërish dhe që ndihmova skuadrën të marrë këto tri pikë shumë të rëndësishme”, tha Cordeiro.

Pas tetë javësh kampionat, Partizani ndodhet në vend të tretë, në kuotën e 14 pikëve, aq sa ka dhe Tirana në vend të dytë. Kryesuese e Superiores është Teuta, me vetëm 1 pikë më shumë se dy ekipet kryeqytetase./abcnews.al

Cordeiro feston golin ndaj Vllaznisë

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!