Conte: Romën e refuzova për një arsye, Nainggolan të pyesë veten pse s’është tek Interi

schedule13:59 - 5 Dhjetor, 2019

schedule 13:59 - 5 Dhjetor, 2019

Interi dhe Roma përballen nesër mes tyre dhe trajneri Antonio Conte ka dalë para mediave dhe ka folur për ndeshjen dhe shumë çështje të tjera. Tekniku italian vlerëson kundërshtarin e tyre, që po kalon një moment pozitiv, ndërkohë që komenton edhe në lidhje me Lautaro Martinez. Conte tregohet i sinqertë kur pyetet në lidhje me ofertën që ka marrë nga Roma në të shkuarën. Në fund ai është ngacmuar edhe për Raidja Nainggolan, i cili po paraqitet mjaft mirë me skuadrën e Cagliari.

MOMENTI I MIRË DHE ELOZHET – “Ne dhe Roma po kalojmë një periudhë të mirë kohët e fundit. Fitorja e tyre në Verona e konfirmon këtë. Për këtë arsye ne po e përgatitim ndeshjen me detaje. E dimë se do të ketë momente të vështirë, por duhet të jemi në gjendje t’i përballojmë dhe të godasim kur të jetë e mundur. Klubi i Romës duhet të komplimentohet për mënyrën se si e ka zgjedhur grupin, me lojtarë të fortë dhe me një të ardhme të ndritur përpara”.

MARTINEZ DHE POROSITË – “Është një lojtar i ri, i cili ka mundësi plot të përmirësohet edhe më shumë. E ka vënë veten në shërbimin tonë dhe po rritet dita ditës. Por unë nuk dua të ndalem tek emrat e përveçëm, preferoj të flas për grupin. Të gjithë japin maksimumin, por duhet të përmirësohemi në mbajtjen e topit. Për të arritur objektiva të mëdha, duhet të vazhdojmë ta mbajmë gazin shtypur”.

DËMTIMET – “Duam ta mbyllin pjesën e parë të sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme, më pas të rikthehemi e të rikuperojmë të dëmtuarit. Duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe të lutemi që gjithçka të shkojë mbarë. Dëmtimet? Nuk ka kohë për justifikime”.

OFERTA E TOTTIT – “E njohim njëri-tjetrin prej shumë kohësh dhe kemi një miqësi që ka zgjatur vite të tëra. Ai më shpjegoi projektin dhe e vlerësova qetësisht, duke menduar se nuk ishte koha e duhur për të marrë drejtimin e Romës. Interi nuk kishte kontaktuar akoma me mua atëherë. E refuzova propozimin në mënyrë të sjellshme. Nuk ishte momenti i duhur”.

NAINGGOLAN – “Jam shumë i afeksionuar pas tij. Kur isha te Chelsea doja ta merrja në Londër. Kalimi te Cagliari ishte vendimi i duhur, nuk kisha asnjë dyshim se do të paraqitej mirë. Por është gjithashtu e drejtë që Naingolan ta pyesë veten pse nuk është tek Interi dhe është në Cagliari”. /abcnews.al