Conte: Renditja e Cagliarit më habit, jam një tip që i bie murit me kokë

schedule16:37 - 10 Prill, 2021

schedule 16:37 - 10 Prill, 2021

Dhjetë fitore radhazi në kampionat, por Antonio Conte është i pangopur. Interi kryesues pret Cagliarin në “San Siro” ditën e diel (12:30). Trajneri i ekipit zikaltër, pret triumfin e radhës dhe vlerëson kundërshtarët sardë në prononcimin për mediat.

Duam të bëjmë diçka të jashtëzakonshme në Itali. Duhet t’i japim theks dhe vlerë asaj që po bëjmë. Nuk duhet t’i japim shpresë atyre që na ndjekin, kështu që të mos merremi me llafe dhe të vijojmë përpara në këtë rrugë.

Cagliari? Është e habitshme t’i shohësh ata kaq poshtë në renditje. Na pret një ndeshje e vështirë, pasi ata duan rezultat pozitiv për të siguruar mbijetesën. Cagliari e nisi sezonin me objektiva të tjera, por tani ndodhet në pozita të rrezikshme.

 

Kanë një kontingjent shumë konkurrues, kështu që befasohem kur shoh renditjen e tyre. Rotacion? Nuk besoj se është e nevojshme. Ndodhemi në një moment të rëndësishëm të sezonit, nuk është momenti për të pushuar.

Ardhja tek Interi është vendimi më i vështirë që mund të merrja, por unë jam një tip të cilit i pëlqejnë sfidat. Kam pasur dhe vazhdoj të kem shumë për të humbur. Ama, unë jam një tip kokëfortë, eci përpara dhe jam gati të godas murin me kokë.

Kemi parë vetëm një ekip protagonist në nëntë vitet e fundit në Serie A, teksa ne i kemi dhënë besueshmëri Interit në Itali dhe Evropë. Sezonin e kaluar mbërritëm në finalen e Europa League, rezultati më i mirë që ka arritur një ekip italian në Evropë në vitet e fundit“, deklaroi Conte. /abcnews.al