Conte pas fitores: U zgjuam në pjesën e dytë, pashë Interin e sezonit të kaluar

schedule18:25 - 22 Nëntor, 2020

schedule 18:25 - 22 Nëntor, 2020

Inter arriti një fitore shumë të rëndësishme kundër Torinos në shtëpi me rezultatin 4-2. Antonio Conte shpreson që falë këtij triumfi ekipi të kuptojë se duhet shumë punë për të qenë mes më të mirëve. Në një pronocim për “DAZN”, tekniku i zikaltërve analizon sfidën dhe e pranon se në pjesën e dytë Interi u zgjua.

“Kërkoja të shikoja vendosmërinë, tërbimin dhe zjarrin që pashë sezonin e kaluar. Deri më tani nuk kemi shfaqur asnjërën nga këto. Për të fituar duhet gjithçka nga taktika, inteligjenca, zemra dhe deri te këmbët. Ne duhet të luftojmë vetëm për fitore. Nuk më pëlqeu pjesa e parë, pasi nuk po luanim pothuajse fare. Kjo duhet të shërbejë si një mësim për të reaguar, gjë që e kemi bërë me vonesë ose nuk e kemi bërë fare në ndeshjet e tjera”, deklaron italiani

“Siç thashë, ne duhet të luftojmë fort dhe vetëm atëherë mund të flasim për objektiva dhe synime. Nëse luajmë me pasime delikate apo me thembër nuk do të arrijmë askund. Jemi një grup i mirë, por duhet të kuptojmë vlerat tona. Ajo që ndryshoi në pjesën e dytë ishte dëshira jonë për të shënuar. Bëmë katër gola, por mund të bënim dhe disa të tjerë. Presioni ishte fantastik në pjesën e dytë”, përfundon Conte. /abcnews.al