Conte merr votëbesimin në Dhomën e Ulët

schedule22:45 - 6 Qershor, 2018

schedule 22:45 - 6 Qershor, 2018

Giuseppe Conte ka marrë votëbesimin e dytë si kryeministër i Italisë. Në fjalimin e mbajtur në dhomën e ulët të Partlamentit, Conte ka rikonfirmuar ndjekjen e linjave të BE-së, por ka kritikuar rregullat fiskale të Unionit.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka fituar me lehtësi votëbesimin në dhomën e ulët të Parlamentit. Votimi është mbajtur pasditen e së mërkurës dhe ka konfirmuar mazhorancën e përbërë nga Liga e Veriut dhe Lëvizja 5 Yjet. Në fjalimin e tij, Konte u ka thënë ligjvënësve se objektivat e qeverisë do të jenë nxitja e rritjes ekonomike dhe reduktimi i borxhit të lartë, i dyti në BE pas Greqisë.

“Ne do të negociojmë në nivel europian dhe shpresojmë të kemi vendosmërinë e duhur për t’u dëgjuar nga partnerët tanë”, ka thënë Conte.

Nga 621 parlamentarë, 350 kanë votuar pro, 236 kundër, ndërsa 35 kanë abstenuar. Juristi i bërë kryeministër është zotuar se do të ndjekë linjat e Bashkimit Europian sa i takon politikave financiare, por ka kritikuar rregullat fiskale aktuale duke i cilësuar shumë të serta dhe të fokusuara më tepër tek reduktimi i deficitit sesa tek rritja ekonomike.

Vetëm të martën, Conte siguroi votëbesimin në Senat dhe pas konfirmimit të dytë mund të nisë zbatimin e programit qeverisës, që përfshin shkurtimin e taksave, ndihmat sociale dhe reformimin e drejtësisë.

Por opozita e ka akuzuar 53-vjeçarin pa eksperiencë politike se është një kukull në duart e partnerëve të koalicionit dhe se nuk ka sqaruar kurrë se si do t’i realizojë premtimet, të cilat Italia e ka të pamundur t’i përballojë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!